2800 tonë mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum, që u kthyen nga Tajlanda një vit më parë ende mbahen në Porto Romano.

Të martën, opinioni publik mësoi nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit dhe dalja e rezultatit të analizave të kryera në një laborator të specializuar në Itali, se mbetjet janë të rrezikshme. Po ndërsa prokuroria lëshoi 33 urdhërarreste për përgjegjësit për këtë skandal mjedisor, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 20, për fatin e kontenierëve me mbetje ende nuk dihet gjë. Autoritetet nuk kanë dhënë një zgjidhje se çfarë do të ndodhë me to, nëse do të trajtohen apo asgjësohen, dhe kur e si mund të ndodhë.

Pas hetimeve dolën në dritë shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit.

Në një njoftim për shtyp, policia e qytetit bregdetar dha sot  zyrtarisht detaje mbi operacionin e koduar “Eko-Toxic”, duke konfirmuar se janë ekzekutuar 20 masa sigurie të caktuara nga Gjykata e Durrësit për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Operacioni është zhvilluar nga DVP Durrës në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, ndërsa vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, të cilët nuk u gjetën në banesat e tyre gjatë ndërhyrjes.

7 masa sigurie u lëshuan për përfaqësues për kompanisë Kurum, ndërsa arrest me burg është caktuar për dy administratorët turk, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurorë i kompanisë, të cilët rezultojnë ende në kërkim. 

Burg edhe për pronaren e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, dhe ish administratoren Olizana Pemati. Kompania, më 1 gusht 2023, kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i eksportuar me përshkrimin “oksid hekuri”, eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm. Masa sigurie janë lëshuar edhe për zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

Nga analizat e kryera në Itali, rezultoi se mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike dhe janë me përmbajtje të lartë metalesh të ndryshme, të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Referuar analizave, në dosjen hetimore përshkruhet rreziku i toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore, siç thuhet edhe në dosjen që Prokuroria e Durrësit e paraqiti në Gjykatë një ditë më parë, kur kërkoi masat e sigurisë për të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje.