Mbrëmjen e kësaj të mërkure, një pjesë e shëtitores bregdetare në plazhin e Durrësit është “zhdukur”.

Uji ka depërtuar thellë në tokē dhe në disa pjesë të shëtitores, sidomos pranë pistës Kosova, ku duket se lungomarja ka humbur në det.

“DurrësLajm” mëson se batica arrinte mbrëmë deri në 33 cm, ndërsa prania e Hënës së plotë dhe era që frynte në drejtimin jug kanë ndikuar që deti të përmbytë sipërfaqen ranore dhe madje pjesë të konsiderueshme të shëtitores.

Në raste të tilla, kur kombinohen bashkë shumë elementë atmosferikë, “pushtimi” i tokës nga deti është edhe më i dukshëm në terren.

Detarët e njohin këtë situatë si “fryrje e detit” dhe një e ngjashme u regjistrua pak ditë më parë edhe në qytetin e Vlorës.