Qarku i Durrësit pritet të përballet me reshje intensive shiu për 5 ditët në vijim, nga 6-10 shkurt.
Për këtë arsye, prefekti i qarkut, përmes një njoftimi në rrjete sociale kërkon “që të gjitha strukturat përgjegjëse të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.”
Njoftimi i plotë i Prefektit Durrës:
Bazuar në informacionin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për periudhën 06.02.2026 – 10.02.2026, parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në territorin e Qarkut Durrës, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi dhe problematika.
Nisur nga situatat e mëparshme që reshjet intensive kanë shkaktuar mbi banesat, bizneset, infrastrukturën dhe jetën e përditshme të qytetarëve, është e domosdoshme që të gjitha strukturat përgjegjëse të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Në këtë kuadër, kërkohet marrja e masave parandaluese, monitorimi i vazhdueshëm i situatës në terren, raportimi i menjëhershëm për çdo problematikë që mund të lind si dhe koordinim ndërinstitucional për përballimin e çdo emergjence të mundshme.
Institucioni i Prefektit do të vijojë ndjekjen e situatës dhe do të qëndrojë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat përkatëse.





