Në vend të godinës së Stacionit të Trenit në Durrës, e cila u shemb më 27 janar, do të ndërtohet një godinë e re, e njëjtë në arkitekturë me të vjetrën,. Ajo do të shërbejë si godinë e stacionit hekurudhor.

Autoritetet vendosën shembjen e së vjetrës, sepse ishte plotësisht e amortizuar dhe e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe së bashku me ndërtesën e stacionit po ndërtohet edhe një godinë e dytë, e cila do të shërbejë për administratën dhe mirëmbajtjen teknike.

Kostoja e dy godinave tek Stacioni i Trenit, së bashku me shtatë godina tërësisht të reja, që do të ndërtohen në të gjitha stacionet e tjera përgjatë linjës hekurudhore do të jetë 10 milionë euro. Në këtë vlerë janë përfshirë edhe të gjitha sheshet e jashtme, gjelbërimet, parkimet dhe sistemi fotovoltaik i paneleve diellore në secilën godinë.

Në përgjigjen për “DurrësLajm”, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës bën të ditur se aktualisht janë realizuar 90% e punimeve civile të kontratës së parë të projektit “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore Durrës-Terminali i Transportit Publik Tiranë dhe ndërtimi i Linjës së Re Hekurudhore në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

5 vite nga nisja e projektit nuk është realizuar vendosja e sinjalistikës dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore.

“Vendosja e sinjalistikës hekurudhore dhe pse është pjesë e kontratës së parë të projektit lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me ndërtimin e godinave të stacioneve, tek të cilat do të instalohen pajisjet e sinjalistikës. Pajisjet elektromekanike të jashtme dhe të brëndshme për sistemin e sinjalizimit, janë në proçes zbatimi dhe do të perfundojne tëresisht brenda 6 mujorit të parë të vitit 2026. Ndërsa lidhur me elektrifikimin e linjës hekurudhore, aktualisht procedura është në tenderim ndërkombëtar nga ana e BERZH dhe ende nuk ka filluar implementimi i këtij komponenti”- thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës.

Në total, vlera e përgjithshme e investimit dhe asistencave teknike për projektin deri më tani arrin në 113 milionë euro.

Parashikohet gjithashtu dhe një shtesë prej rreth 25 milionë euro në trajtë granti dhe kredie, e cila do të përdoret për projektin e elektrifikimit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë – Rinas.

Por kur do të përfundojë ndërtimi i hekurudhës?

Në përgjigjen e saj, Hekurudha Shqiptare jep tremujorin e parë të vitit 2027 si afatin fiinal të nisjes së operimit të linjës, ndërkohë që në nisje të projektit u deklarua viti 2023.

Pas përfundimit të plotë të linjës hekurudhore distanca Tiranë-Durrës pritet të përshkohet me tren për rreth 22 minuta, ndërsa nga Tirana për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit pritet të bëhet për 12 minuta.

M.B.