Më datë 16 shkurt, në orën 08.00, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit i bashkisë pritet të nisë aksionin për shembjen e objekteve, që preken nga zbatimi i projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID, me vendndodhje në parkun arkeologjik Durrës”.
Njoftimi për shembjen ka nisur t’u shkojë familjeve që përfshihen në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.107, datë 01.03.2023.
Në letrën e dërguar nga bashkia Durrës dhe IMT, që mban datën 04.02.2026 thuhet se është një njoftim për lirimin e pronës së shpronësuar për interes publik dhe kërkohet lirimi vullnetar i pronës.
Më poshtë po publikojmë letrën e dërguar nga institucioni i qeverisjes vendore dhe IMT tek njëra nga familjet e shpronësuara.
Ndërkohë, dy ditë më parë, “DurrësLajm” i është drejtuar me një Kërkesë për Informacion bashkisë Durrës (jemi në pritje të përgjigjes) lidhur me aksionin në fjalë, numrin e familjeve objektet e të cilave do të shemben, si dhe për të mësuar nëse institucioni i qeverisjes vendore planifikon të zhvillojë një takim me 74 familjet që preken nga projekti TID, të cilat ditën e enjte, në protestën e radhës, kërkuan që bashkia të takohej me ta, ashtu siç edhe rekomandonte Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në shkresën përcjellë kryebashkiakes Emiriana Sako dhe ministrit të kulturës Blendi Gonxhja, që mban datën 26.01.2026.








