Zënia e vendeve të parkimit me mjete rrethanore është një fenomen me të cilin drejtuesit e mjeteve përballen çdo ditë në qytetin e Durrësit.

Pas denoncimit të bërë nga një qytetar dy ditë më parë lidhur me parkimet e xanuna” në lagjen nr.11, të tjera denoncime me foto na vijnë nga banorë të lagjeve të tjera të Durrësit.

Madje dhe aksioni i ndërmarrë nga Policia Bashkiake, në muajin nëntor, për largimin e mjeteve të braktisura nga rrugët kryesore dhe dytësore nuk është finalizuar siç duhet.

Fotoja e dërguar nga një qytetar tregon makinën, që pavarësisht se ka njoftimin në xham vijon të zërë vendin e parkimit, që mund të përdorej nga rezidentët e zonës.

“Ne si qytetarë e kemi të vështirë të ngremë zërin edhe sepse qasja e zaptuesve është në të shumtën e rasteve agresive. Unë vetë disa herë kam telefonuar policinë. Gjithashtu në lidhje me zaptimin e hapësirave publike në lagjen 5 ka edhe makina disa vjeçare të prishura (për të cilat u bë fushatë jo më larg se 1 muaj më parë, ishte vënë njoftimi për ta hequr dhe jo vetëm makina nuk është hequr por pronari i saj ka vendosur dhe 2 blloqe betoni përpara dhe pas saj që aty të mos parkohet. Pra ka zënë 3 vende. Gthashtu dhe trotuarët që u bë fushata për tregtarët që ekspozojnë mallin në trotuar dhe lokalet që nxjerrin karriket.. mjafton të bëni një xhiro dhe do shikoni që kudo gjendja është rikthyer si më parë dhe ishte një shfaqje thjesht për mediat”,- shkruan qytetari.

I njëjti problem është i pranishëm edhe në lagjen nr.1, ku disa vende parkimi ruhen me mjete rrethanore.

“Disa vende parkimi te xanme shikoje dhe keto ketu mbrapa kolegjit ne vollga”,– shkruan një qytetar, që i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur shqetësimin e tij.