Largimi nga shtëpitë ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës i ka tronditur familjet që jetojnë në zonën historike të Durrësit. Aq sa kërcënojnë edhe me veprime ekstreme.

“Në asnjë mënyrë nuk dal nga shtëpia, le të më shembin megjithë shtëpinë brenda”,- thotë Hava Kacani.

E hëna e javës së ardhshme pritet të jetë afati i fundit ligjor që Inspektoriati vendor i Mbrojtjes së Territorit u ka lënë familjeve të largohen në mënyrë vullnetare nga banesa.  

Familjet durrsake, që preken nga ky vendim, i cili mban datën 4 shkurt, nuk pranojnë vlerën e shpronësimit, të cilën e kanë kundërshtuar edhe në gjykatë, dhe kërkojnë nga bashkia që t’i sistemojë, sepse nuk mund të flaken në rrugë.

“Jam durrsake 200 e ca vjet dhe më kanë vlerësuar me 13 milionë lekë të vjetra shtëpinë. Unë nuk e përballoj dot, jam e vetme. Kanë sjellë letrën, për një javë lironi shtëpinë. Jam dakort, më ço në një shtëpi. Nuk jam kundër qeverisë dhe ligjit ama jo të dal unë në rrugë”.

“Ku do shkoj unë. Bashkia po më heq, bashkia të më gjejë shtëpi. Unë nuk i thashë hajde më prish shtëpinë. Unë jam një copë pensioniste. Do ta shembin dhe do më hedhin të gjitha plaçkat. Mundimin e 60 viteve që unë kam bërë. Ku do t’i çoj?”,- thotë Tatjana Simaku.

“Le të prishen se me qeverinë nuk do të bëjmë luftë. Po më kanë dhënë 30 milionë lekë. Ku ka shtëpi 30 mln lekë, janë bërë 100 mijë euro. Të paktën të japin një dhomë e kuzhinë, s’po kërkojmë më tepër.” – thotë 89-vjeçari Paskal Simaku.

“Vetë në plan kanë pranuar që duhet bërë marrëveshje me çdo individ pronar të banesave, por marrëveshje ne nuk kemi bërë. Pra shpronësimi është i njëanshëm. Ne vazhdojmë proceset gjyqësore, sepse e kemi kundërshtuar vlerën e shpronësimit”,- tregon Agron Mema, që ka banesën dhe ambientin e biznesit në këtë zonë.

Madje Agron Mema ngre pretendimin, se shpronësimi është i pavlefshëm aktualisht, sepse janë kaluar afatet ligjore.

“Afati kohor ka kaluar. Vetë ligji për shpronësimin publik, në nenin 26 të tij parashikon se nëse shpronësimi nuk bëhet brenda 3 muajsh nga data që ka qenë për të filluar punimet e shpronësimit, shpronësimi quhet i pavlefshëm. Jemi në kushtet e pa vlefshmërisë”,- thotë ai.  

Burime nga IMT konfirmuan për “DurrësLajm” se aksioni nuk pritet të nisë të hënën e javës së ardhshme,por do të ketë një tjetër vendimmarrje për ndërhyrjen në zonë.

Nga prishjet pritet të preken mbi 80 familje durrsake, që kanë shtëpitë dhe bizneset e tyre në zonën historike.

Prishja e objekteve pritet t’i hapë rrugë zbatimit të projektit TID, që zbatohet nga Ministria e Kulturës, bashkia Durrës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).  

M.B.