Okulistja durrsake Eda Vokopola, që është dhe një nga banoret që preken nga projekti TID, ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale lidhur me njoftimin e fundit që iu është dhënë banorëve dhe bizneseve të lirojnë në mënyre vullnetare pronat e tyre deri më datë 16 shkurt, për t’i hapur rrugë prishjes së tyre.
Vokopola thotë se nuk është kundër zhvillimit, por nëse shteti ka nevojë për pronën e qytetarit, le ta shpronësojë me vlerën reale të apartamentit, ta dëmshpërblejë me dinjitet.
“E keqja nuk vjen nga vetja e qytetarit, por nga shteti që duhet ta mbrojë. Askush nuk është kundër zhvillimit. Por zhvillimi që shkel mbi jetën e ndërtuar me sakrificë nuk është zhvillim është padrejtësi e institucionalizuar!”, shprehet ndër të tjera ajo.
Statusi i plotë i Vokopolës:
Qytetarëve durrsakë po u troket në derë një shkresë nominative: “Liro shtëpinë me vullnetin tënd, sepse do të zhvillojmë zonën.”
Çuditërisht, historia duket sikur po përsëritet pas 80 vitesh. Bijtë e persekutorëve po rikthejnë të njëjtën logjikë përjashtimi, ndërsa viktimat mbeten po ata, sot më të moshuar, më të varfër dhe më të pambrojtur se kurrë.
Të hedhësh tutje shtratin ku ke lindur e ku je plakur. Të lësh pas djersën, mundin dhe kujtimet e tre brezave.
Të dëgjosh se duhet të largohesh “me vullnetin tënd”.Po ku të shkojë një familje?Kush e pret?Me çfarë parash?
E keqja nuk vjen nga vetja e qytetarit, por nga shteti që duhet ta mbrojë.
A e dinë ata që firmosin këto letra sa e vështirë është të sistemohesh diku tjetër? Sa kushton një zhvendosje? Sa mund e para kërkon, kur mezi mbyllet fundi i muajit?Këta njerëz duhet të ngarkojnë kamionë me plaçka sikur po nisen për internim. Dhe kjo në emër të “zhvillimit”.
Askush nuk është kundër zhvillimit. Por zhvillimi që shkel mbi jetën e ndërtuar me sakrificë nuk është zhvillim është padrejtësi e institucionalizuar!
Nëse shteti ka nevojë për pronën e qytetarit, le ta shpronësojë me vlerën reale të apartamentit. Le ta dëmshpërblejë me dinjitet. Le t’u japë mundësinë të vazhdojnë jetën si njerëz, jo si bredharakë me plaçka në krah në mes të dimrit. Shteti është mbrojtës. Detyra e shtetit është prosperiteti i qytetarit të tij e Jo frikësimi i tij!





