Vihet në pranga 2 shtetas në portin e Durrësit, njëri në kërkim për drogë, tjetri pasi iu gjetën 3 dokumente të huaja, të dyshuara të falsifikuara.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të ushtruara në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, të bazuara në informacione policore dhe në analizën e riskut, janë kapur 2 shtetas, që tentuan të kalonin kufirin, në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve, u vunë në pranga shtetasit:

-G. B., 27 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Krujës, në vitin 2020, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë;

-M. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, të cilit, gjatë kontrollit, në dalje të RSh-së, punonjësit e Policisë Kufitare i kanë gjetur një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi, të shtetit çek, me gjeneralitetet e tij, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Dokumentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.