Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.
Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe insistimit të vazhdueshëm të SHBA-ve. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me këtë tender.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkoi shtyrjen e garës, pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.
Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, mbajtur ditën e hënë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projekti i portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më komplekse që po zhvillohen aktualisht.
Sipas Ramës, realizimi i këtij projekti ka sjellë edhe reagime nga vende të tjera, të cilat sipas tij kanë shfaqur xhelozi dhe kundërshti. Kryeministri paralajmëroi se përpjekjet për ta penguar këtë projekt nuk do të kenë sukses.
Dua të them dy fjalë për Porto Romanon. Është një nga proceset me të ndërlikuara që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendeve që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës, një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por i monitoruar nga konsulenti Royal Haskoning dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas gjatë, por një gjë do ta them: Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin dhe ne i dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Evropian, për çdo gjë tjetër jam të C”, tha Rama dy ditë më parë.





