Paraditen e kësaj të hëne, nisur edhe nga dita e pushimit, plazhi i Durrësit frekuentohej nga qytetarë të shumtë që i gëzoheshin diellit pranveror dhe qetësisë që ofron vija bregdetare në këtë periudhë.
Pjesa më e madhe preferonin xhirot përgjatë shëtitores bregdetare, ndërsa vogëlushët i gëzohen rërës dhe këndeve të lojërave.

Në sipërfaqen e rërës janë ende mjaft të dukshme sistemimet që po bëhen përgjatë gjithë vijës bregdetare për zgjerimin e saj. Ndërkohë, shumë biznese po kryejnë riparimet e nevojshme para nisjes së flukseve turistike.
Në mesin e muajit mars në Durrës kanë nisur të mbërrijnë turistët e parë, të cilët sinjalizojnë afrimin e sezonit veror. Për vendasit, pavarësisht investimeve të realizuara përgjatë viteve të fundit ka ende shumë për të bërë në drejtim të disa shërbimeve bazike.
“Janë bërë shumë punime, por duhet të ketë kosha. Kam 2 km që eci, nuk po gjej kosh me hudh lëkurën e bananes”.
“Ka papastërti. Kkosha pllehrash nuk ka dhe njerëzit e pandërgjegjshëm i hedhin plehrat vend e pa vend”.
“Këtu nuk ka banjo publike, gjëja më e keqe e Durrësit për shumë vite”.
“Duhen bërë tualete, se nuk ka fare. Kështu dhe uji I detit bëhet I papastër. Këto janë më kryesoret, tualetet”.
Moti i ngrohtë që ka karakterizuar qytetin bregdetar këto ditë ka ofruar mundësitë optimale për shumë qytetarë vendas, por edhe ato nga Tirana etj të shijojnë plazhin e Durrësit.
M.B.





