Në harkun e 2 javëve u regjistruan dy zhvillime të rëndësishme lidhur me projektin për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.
Më datë 27 shkurt, SPAK zbarkoi në Autoritetin Portual në Durrës dhe sekuestroi dosjen e tenderit për portin e ri, ndërsa më datë 11 mars procedura e tenderit për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano u anulua, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.
Më herët, kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, më datë 9 mars deklaronte se “Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin dhe ne i dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet”.
Kryeministri u shpreh i bindur se porti do të bëhet, por se kur kjo mbetet për t’u parë.
Nisur pikërisht nga këto zhvillime dhe deklarata e kryeministrit, ish-komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, mendon se Rama tentoi të relativizonte problemin, por çështja është shumë më e thellë.
“Çështja e Porto Romanos nuk është një çështje teknike e tenderave. Kryeministri tentoi ta minimizojë dhe relativizojë problemin duke thënë që është një koinçidencë. Jo, nuk është një koinçidencë. Është një gropë financiare. Porto Romano nuk është port që zëvendëson portin e Durrësit, por është port që kërkon të lirojë portin e Durrësit për ta lënë të lirë për projektin e arabit. Ky është thelbi, sepse Porto Romano po ndërtohet në vendin më të keq të mundshëm për ndërtimin e një porti. Vetëm aty nuk mund të ndërtohet një port”,- tha ai në një prononcim për “DurrësLajm”.
Deklaratave të kryeministrit se për ndërtimin e portit në Porto Romano është dakort edhe NATO, SHBA apo BE, Meçollari i përgjigjet se është komplet e kundërta.
“Si NATO, si SHBA, si BE kanë qenë konsistent që ndryshimi i portit të Durrësit është një gabim strategjik, por edhe gabim nga pikpamja e tenderimit”,- thotë ai.
I kontestuar që në krye të herës si një projekt, që nisi pa u marrë mendimi i ekspertëve, nëse Porto Romano ishte vendi i duhur për të ndërtuar portin më të madh të Shqipërisë, Meçollarii thekson gjatë prononcimit të tij se përcaktimi i vendndodhjes së portit nga njerëzit e politikës ka bërë që projektit t’i mungojnë shumë elementë teknikë.
“Porto Romano nuk ka asnjë studim, as nga pikpamja strategjike, as nga ppikpamja gjeografike, as nga pikpamja sizmike, pasi ai është një vend sizmik. Po ashtu as nga pikpamja meteologjike. Unë mund të jap vetëm një fakt; 32% e motit gjatë vitit është det me forcën mbi 4 dhe drejtiim veri-perëndim, andej nga është dhe hyrja e portit. Kjo do të thotë se ai është një port me kosto mirëmbajtjeje jashtëzakonisht të lartë. Vendi nuk është përcaktuar nga ekspertët. Përcaktimi i vendit të një porti është çështje teknike, nuk është çështje politike. Nuk është përcaktuar nga ekspertët, sepse nuk ka studim fizibiliteti. Është përcaktuar nga kryeministri apo njerëzit e tij politikë, që ka pasur përreth”.
Sipas Meçollarit, kryeministrit Rama i nevojitej narrativa e ndërtimit të një baze të NATO-s në Porto Romano pikërisht, sepse projekti nuk kishte studim fizibiliteti. Pas anulimit të tenderit, ku u kualifikua vetëm kompania Archirodon, ish-komandanti Meçollari është i bindur se asnjë kompani evropiane, nuk do të marrë pjesë më në një tender për ndërtimin e portit.
“Askush nuk dëshiron të hyjë në një gropë financiare, pasi siç e dimë 400 milionë euro është vetëm faza e parë. Porti do kushtojë mbi 2 miliardë euro dhe mund të mungojnë likujditetet e shtetit, në momentet pasi ka filluar projekti”.
Deklaratës së kryeministrit Rama, lidhur me ndërtimin e portit se ai nuk ka vetëm plan B, por edhe C, Meçollari i përgjigjet:
“Kryeministri sot është në planin D, jo në planin B të Porto Romanos. Ai ka 2 opsione, ose të zgjedhë ndonjë kinez, ose Kastratin të ndërtojë portin.”
M.B.





