Në Bashkinë e Durrësit u zhvillua këtë të martë një takim ndërgjegjësues për forcimin e koordinimit institucional me synim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetari i bashkisë, Elio Jani, përfaqësues të Policisë së Durrësit, drejtues të njësive administrative, strukturave të Emergjencave Civile si dhe aktorë të tjerë nga institucionet vendore dhe qendrore.
Gjatë diskutimeve u theksua se lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike mbetet një prioritet i vazhdueshëm, që kërkon një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse. U nënvizua rëndësia e trajtimit të kësaj problematike jo vetëm si çështje ligjore, por edhe si sfidë sociale që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë publike, shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit.
Fokusi i takimit u përqendrua në rritjen e kontrolleve të vazhdueshme në terren nga strukturat e përbashkëta, përmirësimin e shkëmbimit në kohë të informacionit mes institucioneve për një reagim më të shpejtë dhe efikas, si dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, si një element kyç në parandalimin dhe identifikimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.





