Në kuadër të Ditës Botërore të Ujit, që shënohet çdo vit më 22 mars, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (SHRUKD) thekson rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe përgjegjësinë e përbashkët të institucioneve dhe qytetarëve për ruajtjen dhe përdorimin me kujdes të ujit të pijshëm.
Në kuadër të kësaj dite, SHRUKD organizoi një sërë aktivitetesh sensibilizuese në të gjitha Njësitë Operative, duke përcjellë mesazhin e rëndësisë së ruajtjes dhe përdorimit të kujdesshëm të ujit.
Gjatë këtyre aktiviteteve, u shpërndanë materiale promocionale dhe informuese për qytetarët në Durrës, Kavajë, Golem, Rrogozhinë, Shijak, Sukth dhe Krujë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rolin që secili prej nesh ka në mbrojtjen e këtij burimi jetik. Këtë vit, në përputhje edhe me moton e Kombeve të Bashkuara “Uji dhe barazia gjinore”, u theksua rëndësia e përfshirjes dhe fuqizimit të grave në sektorin e ujit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rritjes së përfaqësimit të grave në këtë sektor, duke vlerësuar rolin e tyre kyç në menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Gjatë viteve të fundit, SHRUKD ka vijuar të përmirësojë performancën në drejtim të zgjerimit të shërbimit dhe rritjes së eficiencës financiare. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026 janë lidhur 688 kontrata të reja me abonentë, ndërsa në periudhën 2023–2025 janë realizuar në total 10,385 kontrata të reja (2293 në vitin 2023, 4202 në vitin 2024 dhe 3890 në vitin 2025).
Të ardhurat nga faturimi për shërbimin e ujit, kanalizimeve dhe tarifës së shërbimit kanë njohur rritje të qëndrueshme, duke arritur në 1,922,147,412 lekë në vitin 2025, ose 4.7% më shumë krahasuar me vitin 2024 (1,835,825,568 lekë). Po ashtu, arkëtimet nga shitja e ujit dhe shërbimeve të tjera kanë shënuar rritje me 4%, duke arritur në 1,934,421,417 lekë në vitin 2025, nga 1,855,621,611 lekë në vitin 2024.





