Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve V. E., 38 vjeç, dhe A. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, administratorë të një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pasi në strukturën e tyre u gjet pa jetë një 31-vjeçare.

“Ditën e djeshme, në ambientet e këtij hoteli është gjetur pa shenja jete shtetasja kosovare J. H., 31 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 2 administratorët nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit, ku shtetasja qëndronte prej muajit dhjetor 2025″,- njofton policia.

Materialet u referuan në Prokurori për vlerësim, ndërkohë që priten rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 31-vjeçares.