Sezoni turistik ka nisur në kryeqytetin shqiptar të turizmit dhe operatorët turistikë po bëjnë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e tij. Në këtë kuadër, pak ditë më parë, në bashkinë e Durrësit u zhvillua një takim mes kryetares Emiriana Sako dhe operatorëve turistikë të qytetit. Kreu i shoqatës së turizmit Eduart Xhepa rendit disa nga problematikat kryesore, që u diskutuan në takim.
“Ndër problematikat kryesore që mund të theksojmë është përmirësimi i infrastrukturës, së gjithë zonave ku operohet në fushën e turizmit, sidomos në turizmin bregdetar. Është diskutuar shumë për pjesën e trafikut, për rregullimin e trasnportit publik, i cili është shumë i domosdoshëm në sezonin e verës. Transporti publik duhet patjetër, që të zgjaten oraret, që të jetë deri në mesnatë, dhe të rishikohen të gjithë pikat e stacioneve të autobuzëve dhe linjat e tyre, që të përfshijnë të gjithë zonën e bashkisë Durrës. Të ketë edhe pika informacioni për të gjithë turistët për oraret e autobusëve, për destinacionet si dhe aktivitete të ndryshme”,- thotë për “DurrësLajm”, kreu i Shoqatës së Turizmit, Eduart Xhepa.
Një problematikë tjetër e Durrësit si bashkia me vijën bregdetare më të gjatë është pastërtia e ujërave. Një akt normativ i dy viteve më parë sanksionon instalimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotur tek subjektet që operojnë në sektorin e turizmit.
Por Xhepa thotë se subjektet që aktualisht janë të lidhura me kolektorin kryesor të ujërave të ndotura, nuk kanë pse vendosin impiant individual dhe për këtë arsye po hartojnë një peticion për t’ua dërguar institucioneve shtetërore.
“Ne po bëjmë edhe një peticion për të ndarë nga ky akt normativ të gjithë subjektet që janë në rregull me ligjin dhe nuk janë ndotës të ujërave larës. Subjektet që janë në rregull nuk kanë asnjë lloj detyrimi, as ligjor, as ekonomik, as inxhinierik për ta montuar këtë impiant”.
Në kushtet kur një konflikt i armatosur ekziston në Lindjen e Mesme, pasojat e tij pritet të ndihen edhe këtu. Por kreu i shoqatës së Turizmit është optimist për mbarëvajtjen e sezonit.
Bashkëpunimi i autoriteteve vendore e qendrore me sipërmarrjen e turizmit mbetet thelbësor për të garantuar shërbime më cilësore dhe një sezon sa më të suksesshëm për Durrësin.
M.B.





