Era e tërbuar dhe deti me dallgë të mëdha e kanë vështirësuar procesin e punës në kantierin e ndërtimit në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia” në Durrës.
Pavarësisht se puna për hapjen e gropave ku do të vendosen plinta dhe më pas pergolatet e betonit ka vijuar pa ndërprerje, punëtorët kanë hasur vështirësi të shumta për shkak të mbushjes së gropave me ujë.
Për këtë arsye, atyre gjatë ditës së sotme u është dashur të vënë në punë motorpompat për largimin e ujit nga kantieri.
Siç duket dhe në pamjet që po publikojmë, procesi i vendosjes së pergolave ka avancuar ndjeshëm dhe pjesa fundore e shëtitores ka nisur tashmë të marrë formë.
Më herët, era e fortë shkaktoi një incident në lagjen nr. 3 të qytetit, por fatmirësisht pa të lënduar. Një vetratë e madhe xhami u shkëput nga fasada e pallatit dhe, së bashku me llamarina të shumta, përfunduan në trotuar dhe në rrugën “Egnatia”.
Sipas Kapitenerisë së Portit të Durrësit, era e fuqishme është me forcë 5 ballë dhe me drejtim jug. Pritet që forca e saj të ulet në orët në vijim dhe nuk parashikohen problematika në lundrimin e trageteve që lidhin Durrësin me Barin mbrëmjen e sotme.





