Mes ovacioneve të sallës dhe vlerësimit të jurisë profesioniste, shkolla e mesme “Naim Frashëri” mori çmimin “Shfaqja më e mirë” me dramën “Medea”. Projekti “Moisiu i ri”, i vënë në jetë nga Qendra Kulturore Durrës përmbylli kështu me sukses edicionin e tij të parë, duke synuar të kthehet në një traditë të bukur në qytetin bregdetar.

Nën drejtimin e regjisorëve Najada Elmazi, Elio Ibro dhe Jona Bala, si dhe të trupës profesioniste të Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe nën drejtimin artistik të skenografes Alketa Tragaj, gjmnazistët e 7 shkollave të qytetit realizuan 7 shfaqje teatrore të zhanreve komedi, dramë dhe tragjedi.

Juria profesioniste e përbërë nga emra të mëdhenj të skenës shqiptare dhe asaj durrsake vlerësoi me çmime të ndryshme performancat në skenë të të gjitha shkollave pjesëmarrëse si dhe të gjimnazistëve më të spikatur në lojën teatrale.

Për aktorët e njohur Ndriçim Xhepa dhe Arben Derhemi nisma e ndërmarrë nga Qendra Kulturore Durrës vlen për t’u përshëndetur dhe vijuar më tej.

Juria profesioniste vlerësoi maksimalisht nivelin cilësor të shfaqjeve të përgatitura nga nxënësit, duke vënë në pah talentin dhe pasionin e tyre për artin skenik. Çmimi i Kritikës i shkoi shfaqjes “Boeing-Boeing” të shkollës “Gjergj Kastrioti”, ndërsa Çmimi i Publikut shkoi për shfaqjen “Budallenjtë” të vënë në skenë nga shkolla “Jusuf Hoti”.

Për aktorin e mirënjohur të skenës durrsake, Xhelaj Tafaj rikthimi i kësaj nisme rreth 4 dekada më vonë është një ogur i mirë për të afruar të rinjtë me teatrin.

Në vijim të këtij projekti, tre nga shfaqjet më të spikatura do të prezantohen si premiera për publikun e Durrësit.

Të gjitha çmimet e akorduara nga juria e “Moisiu i ri”:

Shfaqja më e mirë:

“Medea” – Shkolla “Naim Frashëri”

Çmimi i Kritikës:

“Boeing-Boeing” – Shkolla “Gjergj Kastrioti”

Çmimi i Publikut:

“Budallenjtë” – Shkolla “Jusuf Hoti”

Aktori protagonist më i mirë:

Reinald Agolli – Shkolla “Gjergj Kastrioti”

Aktori më i mirë:

Olsi Mustafaj – Shkolla “Ismet Nanushi”

Aktorja më e mirë:

Irsa Vila – Shkolla “Naim Frashëri”

Aktorja jo protagoniste më e mirë:

Alfrida Fastliu – Shkolla “Ismet Nanushi”

Aktorja jo protagoniste më e mirë:

Arianita Gashi – Shkolla “Leonik Tomeo”

Aktorja jo protagoniste më e mirë:

Marsela Balla – Shkolla “Jusuf Hoti”

Aktorja jo protagoniste më e mirë:

Elviana Musaj – Shkolla “Olsi Lasko”

Zëri më i mirë:

Dorina Pashnjari – Shkolla “Olsi Lasko”

Zëri më i mirë:

Erika Haruni – Shkolla “Dhori Liperi”

Kostumografia më e mirë:

Najada Musaj – Shkolla “Olsi Lasko”

Skenografia më e mirë:

Lorenc Fasho – Shkolla “Naim Frashëri”