Dy persona kanë përfunduar në pranga në kuadër të operacionit “Eko-Toxic”, pas ekzekutimit të masës së sigurisë “Arrest me burg” të caktuar nga Gjykata e Durrësit.

Në pranga janë vënë shtetasi Y. K., 39 vjeç, me kombësi turke, dhe shtetasi A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Ata akuzohen për një sërë veprash penale, që lidhen me menaxhimin dhe transportimin e mbetjeve, kontrabandën me mallra të ndaluara, falsifikimin e dokumenteve, si dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasit Y. K., 39 vjeç, me kombësi turke dhe A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Masë e caktuar nga Gjykata e Durrësit, në kuadër të operacionit “Eko-Toxic”, për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, për shtetasin Y. K., dhe për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Transportimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, për shtetasin A. Sh.