Nga Aleksandër Cangonja
Sot, më 7 Prill, përkujtojmë një nga ditët më të errëta, por njëkohësisht më dinjitoze të historisë moderne shqiptare. Më 7 Prill 1939, Italia fashiste ndërmori pushtimin ushtarak të Shqipërisë, duke cenuar rëndë integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të vendit.
Megjithatë, ndryshe nga narrativa e propagandës së kohës, ky pushtim nuk u prit me lule, por me armë. Qyteti i Durrësit u kthye në epiqendrën e rezistencës së parë antifashiste shqiptare.
Qëndresa në Durrës
Në Durrës, forcat e pakta shqiptare, të përbëra nga xhandarmëria, ushtarakë dhe qytetarë vullnetarë, u organizuan për të përballuar një nga ushtritë më të fuqishme të kohës. Në krye të kësaj qëndrese ishte Abaz Kupi, i cili me vendosmëri dhe guxim udhëhoqi mbrojtjen e qytetit. Përballë një force të madhe detare dhe ajrore italiane, rezistenca shqiptare ishte e pabarabartë, por jo e pakuptimtë. Luftimet në port dhe në hyrje të qytetit dëshmojnë për një përpjekje reale për të ndalur zbarkimin italian. Ushtarët italianë u përballën me zjarr të përqendruar nga pozicione të improvizuara, përfshirë ndërtesa në ndërtim pranë portit.
Dokumentet italiane: dëshmi e vështirësive
Një burim shumë i rëndësishëm për të kuptuar realitetin e asaj dite janë vetë dokumentet italiane. Raporti i zv.konsullit italian në Durrës, V. Valeriani, i drejtuar Legatës Italiane në Tiranë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, jep një pasqyrë të qartë të vështirësive të hasura gjatë zbarkimit. Që në datën 6 Prill 1939, autoritetet italiane nisën evakuimin e bashkëpunëtorëve shqiptarë drejt anijeve luftarake si Lupo dhe Tirso. Kjo tregon se pushtimi ishte i parapërgatitur dhe i shoqëruar me masa sigurie për elementët pro-italianë. Raporti përshkruan edhe përpjekjet e shqiptarëve për të penguar hyrjen në port, madje duke tentuar bllokimin e tij me mjete lundruese të mbushura me materiale ndërtimi. Kjo dëshmon për një rezistencë të organizuar, sado modeste në mjete.
Përplasja e armatosur
Në mëngjesin e 7 Prillit, zbarkimi filloi nën zjarr të drejtpërdrejtë. Sipas raportit italian, trupat që zbrisnin në breg u goditën nga mitralozët shqiptarë, duke shkaktuar të plagosur që në momentet e para. Vetë zv.konsulli Valeriani u plagos gjatë luftimeve, ndërsa përmend edhe plagosje të tjera në radhët italiane. Kjo është një dëshmi e qartë se zbarkimi nuk ishte një operacion i lehtë, por një përplasje e vërtetë ushtarake.
Dëmet materiale dhe ekonomike
Një tjetër dokument i rëndësishëm është lista e dëmeve të përpiluar nga arkitekti italian Giovani Valcovi, e cila përfshin dëmet e shkaktuara nga bombardimet dhe luftimet.
Në këtë listë përfshihen emra qytetarësh, tregtarësh dhe subjektesh ekonomike si:
Vlash Dovana
Spiro Kallço
Caffè Savoia
D. Rexha (Chevrolet)
Vëllezërit Shijaku
Dr. Ismail Tartari
Vangjel Manushi, etj.
Gjithashtu, dëmtime pësuan edhe prona të komuniteteve fetare, përfshirë vakëfet myslimane dhe pasuritë e Kishës Orthodhokse.
Verifikimi i dëmeve u krye nga data 10 deri më 19 Prill 1939, duke nxjerrë një vlerë totale prej 13,665 franga ari shqiptare — një shumë shumë e konsiderueshme për kohën dhe një tregues i qartë i intensitetit të përplasjes.
Propaganda zyrtare përballë fakteve
Raporti i zv.konsullit italian përpiqet qartazi të ndërtojë një narrativë propagandistike, ku zbarkimi paraqitet si një operacion i suksesshëm dhe i kontrolluar, ndërsa personeli italian portretizohet me tone heroizuese. Përmenden ngritja e flamurit, rivendosja e administratës dhe “qetësia” e situatës, duke synuar të krijohet ideja e një pushtimi të lehtë dhe të mirëpritur. Por vetë dokumenti e rrëzon këtë propagandë. Në rreshtat e tij dalin në pah plagosje të shumta, rezistencë e armatosur në port dhe frikë reale nga reagimi i shqiptarëve. Përpjekjet për të siguruar bashkëpunëtorët, lëvizjet e kujdesshme të anijeve dhe shqetësimi për bllokimin e portit tregojnë një situatë të tensionuar dhe të pasigurt. Këto elemente e bëjnë të qartë se pushtimi i 7 Prillit nuk ishte një marshim i qetë, por një akt agresioni që hasi në kundërshtim të drejtpërdrejtë. Përtej gjuhës zyrtare, raporti mbetet një dëshmi e pavullnetshme e rezistencës shqiptare dhe e faktit se Italia fashiste nuk u prit me lule, por me armë.
Durrësi në kujtesën historike
Ngjarjet e 7 Prillit 1939 në Durrës përbëjnë një moment kyç të historisë sonë kombëtare. Edhe pse rezistenca nuk mundi të ndalte pushtimin, ajo mbetet një dëshmi e qartë se shqiptarët nuk e pranuan në heshtje agresionin.
Kjo qëndresë e parë u bë preludi i rezistencës më të gjerë antifashiste që do të zhvillohej në vitet në vijim.
Referencë arkivore:
F. 163 (Legata Italiane), V. 1939, D. 47
F. 177 (Ministria e Punëve Botore), V. 1939, D. 190
Aleksandër Cangonja, 7 Prill 2026





