Më datë 10 prill, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” do të mbahet edicioni i 24-ërt i bukurisë durrsake, “Miss dhe Mister Durrësi 2026”.

48 vajza dhe djem nga shkollat e mesme të qytetit dhe nga universiteti “Aleksandër Moisiu” do të sfilojnë në spektaklin e organizuar si çdo vit nga producentja e njohur Myzejen Konduri, për të përzgjedhur imazhet e bukurisë femërore dhe mashkullore, që për një vit do të përfaqësojnë Durrësin në kompeticione të ngjashme në rang kombëtar.

Producentja Konduri është mjaft e kënaqur me prurjet e këtij viti, pasi nënvizon se nuk bëhet fjalë vetëm për të rinj e të reja të bukur fizikisht, por edhe për nxënës mjaft të mirë në mësime.

“Janë 17 nxënës konkurentë që janë me notë mesatare mbi 9.7”,– thotë ndër të tjera për “DurrësLajm” producentja Konduri.

Konkursi i bukurisë që do të mbahet ditën e premte, duke nisur nga ora 18.00 premton të jetë një spektakël i vërtetë, ku sfilatat e konkurentëve pjesëmarrës do të kombinohen me performancat e këngëtarëve të njohur si Anxhela Peristeri, Mateus Frroku, etj që pritet ta ndezin skenën dhe shkallët e pallatit të sportit.

Juria profesioniste që do të përzgjedhë Miss dhe Mister Durrësi 2026 do të kryesohet nga shkrimtarja e njohur Elena Kadare.

M.B.