Nga BUJAR QESJA

Ka njerëz që largohen nga kjo botë në heshtje, pa zhurmë, pa ceremoni, por që lënë pas jehonë të gjatë, në kujtesën e atyre që i kanë njohur. Janë ata, që nuk e kanë jetuar jetën për t’u dukur, por për të qenë të dobishëm. Janë ata, që nuk kërkojnë lavdi, por fitojnë respekt. Dhe kur ikin, kupton se kanë lënë më shumë sesa duket.

Ka lajme që vijnë të qeta, thuajse pa zhurmë, por që lënë boshllëk të ndjeshëm në ndërgjegjen qytetare. I tillë është edhe lajmi, për ndarjen nga jeta të mjekut të njohur Petro Xhaferi, i cili mbylli sytë përgjithmonë, në provincën Rovigo të rajonit Veneto në Itali, larg qytetit që e deshi dhe e shërbeu për shumë vite, Durrësit.

Lajmi vjen si kujtesë e fortë, për të mos harruar. Sepse harresa, është padrejtësia më e madhe, që mund t’u bëjmë njerëzve të mirë. Jetoi gjatë në Durrës, në qytetin ku ushtroi me përkushtim profesionin e mjekut të urgjencës.

Ishte nga ata mjekë që nuk njihnin orar, që nuk kursenin veten, që e kishin zgjedhur profesionin si mision dhe jo si një punë. Në urgjencë, aty ku çdo sekondë peshon sa një jetë, Petro Xhaferi ishte i pranishëm me qetësinë dhe përgjegjësinë, që kërkon kjo detyrë e vështirë.

Brezat që e kanë njohur, e kujtojnë si njeri të thjeshtë, korrekt dhe të përkushtuar. Nuk ishte nga ata që flasin shumë. Puna e tij fliste vetë. Dhe kjo mjaftonte. Prej dekadash jetonte në Itali, larg Durrësit, por kurrë nuk u shkëput shpirtërisht. Durrësi mbeti gjithmonë busulla e kujtimeve dhe e mallit. Interesohej, pyeste, kujtonte.

Ishte i lidhur me njerëzit, me emrat, me historitë e këtij qyteti. Në çdo komunikim që bënim me të, ngashërente. Digjej nga malli dhe manifestonte një lloj krenarie, për kohën që kishte jetuar dhe për njerëzit që kishte njohur. Jetoi plot 90-të vite. Jetë e gjatë, e mbushur me përvoja, sakrifica dhe përkushtim. Por mbi të gjitha, jetë e jetuar me dinjitet.

Petro Xhaferi ishte nga ata njerëz, që nuk kërkuan kurrë vëmendje, por fituan respektin e të gjithëve përmes përkushtimit dhe humanizmit. I lindur më 7 gusht 1936, i përkiste një brezi që e ndërtoi jetën mbi sakrificën, punën dhe ndjenjën e detyrës. Si mjek urgjence në Durrës, ishte shpesh në vijën e parë, aty ku jeta dhe humbja ndahen nga një vendim i shpejtë.

Shumë qytetarë durrsakë, do ta kujtojnë si mjekun që vinte pa u kursyer në çdo orë të ditës apo të natës, si njeriun që nuk pyeste për lodhjen, kur bëhej fjalë për jetën e një tjetri. Në urgjencë, aty ku çdo sekondë ka peshë, Petro Xhaferi ishte një figurë e besueshme, një profesionist i qetë dhe një njeri me ndjeshmëri të rrallë.

Edhe pse jeta e çoi prej dekadash në Itali, nuk e preu kurrë lidhjen shpirtërore me Durrësin. Nuk ishte kujtim i largët për të, por pjesë e identitetit të tij. Interesohej vazhdimisht për qytetin, për njerëzit, për fatet e atyre që kishte njohur. Në bisedat e tij nuk mungonin kurrë emrat e figurave durrsake, kujtimet e përbashkëta, reflektimet për kohën që kalon dhe për jetët që shuhen.

Kur merrte lajme të trishta për ndonjë mik apo koleg të larguar nga jeta, shprehte keqardhjen e tij të sinqertë. Kur dëgjonte për arritje, gëzohej me ndjenjë të pastër, siç gëzohet një njeri që nuk i ka harruar rrënjët e veta. Kjo e bënte Petro Xhaferin jo vetëm një profesionist të mirë, por mbi të gjitha një njeri me shpirt të madh.

Mosha 90-tëvjeçare është jetë e gjatë, por humbja e një njeriu të tillë nuk matet me vite. Matet me kujtimet që lë pas, me gjurmët që ka lënë në jetët e të tjerëve, me respektin që ngjall edhe pasi largohet nga kjo botë.

Durrësi nuk i harron bijtë e tij. Edhe kur jeta i shpërndan nëpër botë edhe kur vitet kalojnë dhe distancat rriten, lidhja mbetet. Petro Xhaferi ishte dhe do të mbetet një nga ata njerëz, që edhe larg, e mbajti Durrësin në zemër dhe u mbajt prej tij në kujtesë.

Ndoshta largimi në dhe të huaj, mund të duket si mbyllje e heshtur e një jete të gjatë. Por për durrsakët, historia e Petro Xhaferit nuk mbyllet aty. Vazhdon në kujtesën tonë, në respektin që ruajmë për njerëzit që i kanë shërbyer këtij qyteti, në detyrimin moral për të mos i lënë në harresë.

Sepse Durrësi nuk i harron bijtë e tij. Edhe kur jeta i shpërndan larg edhe kur vitet kalojnë dhe emrat rrezikojnë të zbehen, është detyrë e jonë t’i rikthejmë në vëmendje, t’i nderojmë, t’i kujtojmë me fjalën e mirë që meritojnë.

Ky është një gjest i vogël, por i domosdoshëm. Një dëshmi se humanizmi nuk është thjeshtë fjalë, por veprim. Se mirënjohja është vlerë. Dhe se njerëzit si Petro Xhaferi nuk largohen kurrë plotësisht, por mbeten aty ku kanë dhënë më shumë, në kujtesën dhe zemrën e njerëzve.

Ky shkrim është një përpjekje humane, për ta përcjellë me nderimin që meriton. Një përkulje e heshtur, para jetës dhe veprës së tij. Një falënderim për gjithçka dha, si mjek dhe si qytetar.