-Rruga i një brezi që bëri histori
-Kur qetësia bëhet mënyrë loje dhe mënyrë jete
-Koha mes sportit, emigrimit dhe kujtesës

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Durrësi, deti dhe ëndrra që nis me një top

Durrësi nuk është vetëm qytet. Është frymë. Është kripë deti që të mbetet në buzë. Është zhurmë dallgësh që të ndjek në çdo rrugë, është horizont i hapur që i mëson fëmijët të ëndërrojnë pa kufi. Në lagjet pranë portit, në rrugicat ku topi përplasej pas mureve të vjetër, në rërën e plazhit ku gjurmët fshiheshin nga era, u rritën breza që e deshën futbollin si pjesë të jetës.

Në ato vite, lodrat ishin të pakta, por pasioni ishte i pafund. Një top mjaftonte për të mbledhur dhjetëra djem, për të ndezur rivalitete të vogla, për të krijuar miqësi të mëdha. Fusha nuk kishte gjithmonë vijëzime. Portat shpesh improvizoheshin me gurë, por loja kishte shpirt. Dhe pikërisht në këtë mjedis, mes zërave të fëmijëve dhe aromës së detit, fillon rrugëtimi i një emri që do të mbetej gjatë në kujtesën e futbollit durrsak, Agim Likmeta.

Fëmijëria në Durrës formon karakter. Të mëson të përballesh me vështirësi, të mëson të jesh i fortë pa e humbur ndjeshmërinë, të mëson të qëndrosh me këmbë në tokë edhe kur ëndrrat të çojnë larg. Futbolli në atë kohë nuk ishte profesion, ishte pasion i pastër, ishte mënyrë për të treguar veten, për të fituar respektin e shokëve dhe për të ndjerë përkatësi.

Nga ato rrugë, nga ato fusha të vogla dhe nga ai det, që gjithmonë dukej sikur hapte horizonte, u formua një mesfushor që nuk do të kërkonte kurrë zhurmë për të dëshmuar vlerat e veta.

Furra ku piqeshin talentet

Rrugëtimi drejt futbollit të organizuar, nuk ishte i lehtë dhe as i shpejtë. Në Durrësin e atyre viteve, askush nuk ngjitej në ekipin e parë, pa kaluar përmes një proçesi të gjatë formimi, ku talenti duhej të provohej çdo ditë, në çdo stërvitje, në çdo ndeshje mes shokësh. Nuk mjaftonte dëshira për të luajtur. Kërkohej përkushtim, disiplinë dhe durim.

Në ekipet e fëmijëve, nën drejtimin e Filip Xhait, fillonte një edukim i vërtetë sportiv. Trajneri nuk merrej vetëm me teknikën, por me mënyrën si duhej parë loja, si duhej respektuar shoku dhe kundërshtari, si duhej përballuar humbja dhe si duhej pritur fitorja. Çdo stërvitje kishte ritëm dhe kërkesë, ndërsa çdo gabim korrigjohej me kujdes, por edhe me rigorozitet.

Kalimi tek të rinjtë me Nysret Shytin, përfaqësonte fazë tjetër, më të ashpër dhe më përzgjedhëse për Agim Likmetën. Këtu nuk bëhej më fjalë për të mësuar bazat, por për të përballuar konkurencën dhe për të treguar personalitet në fushë. Loja fitonte strukturë taktike, ndërsa përgjegjësia personale bëhej më e dukshme. Në këtë mjedis, ku çdo vend në formacion fitohej me meritë, spikatnin ata që kishin jo vetëm talent, por edhe karakter.

Stërvitjet zhvilloheshin me ngarkesë të lartë, shpesh në kushte jo të lehta, por kjo e forconte edhe më shumë lidhjen mes lojtarëve dhe e bënte ekipin më të qëndrueshëm. Nuk kishte rrugë të shkurtra drejt suksesit. Çdo hap, kërkonte punë të vazhdueshme dhe përmirësim të përditshëm.

Ky sistem formimi, krijoi atë brez futbollistësh që nuk dalloheshin vetëm për aftësitë teknike, por edhe për seriozitetin dhe qëndrueshmërinë në lojë. Në këtë mjedis u formua edhe Agim Likmeta, duke marrë nga çdo trajner dhe nga çdo etapë, atë që do ta shoqëronte gjatë gjithë karrierës, qetësinë në veprim, saktësinë në mendim dhe respektin për lojën.

Durrësi i asaj kohe, ishte më shumë se një qytet që prodhonte futbollistë. Ishte një shkollë që formonte njerëz.

Kur mesfusha bëhet tru dhe ritëm i ekipit

Kalimi në radhët e “Lokomotivës”, nuk përbënte vetëm hap përpara në karrierë, por hyrje në një botë, ku futbolli kërkonte përgjegjësi të plotë dhe përqendrim maksimal. Ritmi i stërvitjeve ndryshonte. Kërkesat rriteshin dhe çdo ndeshje kishte peshën e përfaqësimit të qytetit.

Në këtë realitet të ri, përpunimi i elementeve të lojës merrte dimension tjetër. Nën drejtimin e trajnerëve si Miço Papadhopulli, Refik Resmja, Skënder Jareci, Petraq Ikonomi dhe Kristaq Toçi, çdo detaj merrte rëndësi. Pozicionimi në fushë, leximi i aksionit, koha e ndërhyrjes, mënyra e shpërndarjes së topit. Loja nuk shihej më si seri veprimesh spontane, por si organizëm që duhej të zhvillohej me saktësi.

Në këtë strukturë, mesfusha përbënte pikën kyçe. Aty vendosej ritmi i ndeshjes, aty filtroheshin aksionet kundërshtare dhe aty lindnin idetë sulmuese. Për të qenë pjesë e këtij reparti, kërkohej jo vetëm aftësi teknike, por edhe mendim i shpejtë dhe qartësi në vendimmarrje.

Agim Likmeta, gjeti vendin e vet pikërisht në këtë hapësirë të ndërlikuar. Loja ndërtohej përmes qetësisë në kontakt me topin, përmes pasimeve të sakta që hapnin hapësira dhe përmes ndërhyrjeve të zgjuara, që ndërprisnin kundërshtarin pa krijuar panik.

Nuk kishte lëvizje të tepërta, por çdo veprim kishte qëllim.
Në shumë raste, aksioni fillonte nga këmbët e tij dhe merrte drejtim, falë vizionit që kishte për lojën. Ritmi nuk diktohej me forcë, por ndërtohej me durim. Në momente presioni, ruajtja e ekuilibrit bëhej vendimtare dhe pikërisht aty, shfaqej vlera e një mesfushori që nuk humbte qetësinë.

Në një ekip, ku çdo repart kishte rëndësinë e vet, mesfusha shërbente si urë lidhëse dhe brenda saj, figura si Agim Likmeta krijonin harmoninë e lojës. Nuk kërkohej protagonizëm individual, por funksionim i përbashkët. Dhe pikërisht në këtë filozofi, u kristalizua roli i tij si organizator i besueshëm dhe i qëndrueshëm.

Kjo periudhë nuk shënon vetëm rritje sportive, por edhe pjekuri në të kuptuarit e lojës. Çdo ndeshje shtonte përvojë, çdo trajner linte gjurmë dhe çdo sezon forconte më tej identitetin e një mesfushori, që dinte të mendonte lojën përpara se ta luante atë.

Brezi që i dha shpirt “Lokomotivës”

“Lokomotiva” e atyre viteve, nuk mund të kuptohet si përmbledhje emrash në formacion. Ishte organizëm i gjallë, bashkësi karakteresh të ndryshme që bashkoheshin rreth një ideje të përbashkët, të përfaqësohej Durrësi me krenari dhe me lojë të ndershme.

Në këtë skuadër, nuk kishte vend për individualitet të tepruar. Çdo lojtar kishte rolin e vet, por mbi të gjitha ekzistonte, ndjenjë përgjegjësie ndaj njëri tjetrit. Marrëdhëniet ndërtoheshin në stërvitje të lodhshme, në udhëtime të gjata, në dhoma zhveshjeje ku diskutoheshin ndeshjet dhe ku shpesh lindnin edhe batuta që mbeteshin gjatë në kujtesë.

Në krah të emrave si Tut Leshteni, Fatmir Hima, Naim Dollaku, Vladimir Ajazi, Skënder Pasha, Osman Kapidani, Niko Lito, Kristaq Toçi, Agim Bulku, Alfred Filjari, Agim Çela, vëllezërit Ballgjini, Niko Jani, Stavri Nica, Josif Ristani, Edmond Miha, Abdulla Koçi, Lut Sejdini, krijohej mozaik i rrallë futbollistik. Secili sillte diçka të veçantë në lojë, forcë, teknikë, intuitë, përvojë, energji rinore.

Në këtë ansambël, ku çdo repart kishte peshën e vet, mesfusha kërkonte një figurë që të lidhte fijet e lojës. Pikërisht në këtë rol, Agim Likmeta ndërtohej si element që garantonte ekuilibrin. Bashkëpunimi me shokët, nuk ishte vetëm pozicioni në fushë, por marrëveshje e heshtur besimi. Lëvizjet parashikoheshin, pasimet priteshin, ndërhyrjet mbështeteshin.

Ky brez, nuk jetonte vetëm për 90-të minutat e ndeshjes. Jeta vazhdonte edhe jashtë fushës, ku krijoheshin lidhje që i rezistuan viteve dhe kohës. Respekti për njëri tjetrin nuk ndërtohej në fjalë, por në përditshmëri, në mënyrën si ndihmonin, si ndanin vështirësitë dhe si festonin momentet e bukura.

Futbolli i atyre viteve, kishte më pak dritë mediatike, por më shumë shpirt. Dhe pikërisht ky shpirt, e bën këtë brez të paharruar. Nuk mbetet vetëm për rezultatet, por për mënyrën si luante, si jetonte dhe si lidhi emrat e vet me historinë e qytetit.

Brenda këtij kolektivi, Agim Likmeta nuk kërkoi të dilte mbi të tjerët. Roli u ndërtua natyrshëm, përmes besimit që fitonte ndeshje pas ndeshjeje. Dhe në fund, ajo që mbetet, nuk është vetëm pjesëmarrja në një skuadër të fortë, por përkatësia në një brez që sot kujtohet me respekt dhe mall.

Finalja e vitit 1975, përballja me historinë

Në rrjedhën e një karriere sportive, ekzistojnë disa momente që dalin mbi të tjerët dhe mbeten të ngulitura jo vetëm në kujtesën personale, por edhe në ndërgjegjen e një qyteti të tërë. Finalja e Kupës së Shqipërisë në vitin 1975 mes “Lokomotivës” dhe “Labinotit” të Elbasanit, përbën prej atyre ngjarjeve, që kapërcen kufijtë e një ndeshjeje të zakonshme.

Rruga drejt finales, nuk ishte e lehtë. Çdo tur kishte kërkuar përqendrim maksimal, përballje të forta dhe sakrifica fizike e psikologjike. Çdo fitore kishte sjellë më shumë besim, por edhe më shumë përgjegjësi. Kur skuadra mbërriti në prag të finales, tashmë nuk luhej vetëm për trofe, por për krenarinë sportive të Durrësit.

Atmosfera përpara ndeshjes, ishte e ngarkuar me emocione. Qyteti jetonte me ritmin e kësaj përballjeje. Në bisedat e përditshme, në rrugë, në familje, në çdo cep ndjehej pritja dhe shpresa. Futbollistët hynin në fushë, duke mbajtur mbi supe jo vetëm fanelën, por edhe besimin e një komuniteti të tërë.

Në këtë sfond, roli i mesfushës bëhej vendimtar. Aty zhvillohej beteja për kontrollin e lojës, për ritmin, për balancën mes mbrojtjes dhe sulmit. Përballë një kundërshtari të fortë si “Labinoti”, çdo top kishte vlerë, çdo pasim duhej peshuar, çdo lëvizje duhej menduar.

Pjesëmarrja në atë finale, nuk ishte vetëm moment sportiv, por provë karakteri. Loja kërkonte qetësi në momente presioni, vendimmarrje të shpejtë dhe aftësi për të ruajtur ekuilibrin në situata të vështira. Pikërisht në këtë terren, shfaqej përvoja dhe formimi i një futbollisti.

Për Agim Likmetën, prania në atë formacion përfaqëson nga kulmet e karrierës. Nuk ishte çështje protagonizmi individual, por pjesëmarrje në një ngjarje që mbeti gjatë në kujtesën e sportdashësve. Çdo minutë në fushë kishte peshë, çdo veprim ishte pjesë e një historie, që po shkruhej në atë çast.

Edhe pse koha ka kaluar dhe brezat janë ndërruar, ajo finale vazhdon të përmendet si një pikë referimi. Jo vetëm për rezultatin, por për atmosferën, për përkushtimin dhe për mënyrën, si një skuadër arriti të përfaqësojë qytetin me krenari.

Ngjarje të tilla, nuk mbeten vetëm në arkiva. Ato jetojnë në rrëfime, në kujtime të ndara mes shokësh, në biseda që rikthehen sa herë përmendet ajo kohë. Dhe brenda këtyre kujtimeve, emri i Agim Likmetës qëndron i lidhur natyrshëm, me një nga kapitujt më domethënës të futbollit durrsak.

Largimi nga fusha, emigrimi dhe përballja me jetën

Çdo karrierë sportive, sado e bukur dhe e mbushur me emocione, vjen një ditë dhe ndalet. Nuk ka një moment të vetëm, që e përcakton fundin. Është një proçes i brendshëm, një ndjesi që rritet gradualisht, derisa kuptohet se trupi, nuk përgjigjet më si më parë dhe ritmi i lojës, kërkon energji që vitet e kanë zbehur.

Fillimi i viteve ’80-të, shënon pikërisht këtë kthesë për Agim Likmetën. Largimi nga fusha, nuk ishte vendim i lehtë. Pas shumë vitesh të kaluara mes stërvitjeve, ndeshjeve, emocioneve dhe sakrificave, shkëputja krijon boshllëk që nuk mbushet menjëherë. Fusha nuk është vetëm vend loje, por edhe hapësirë ku është ndërtuar identiteti, ku janë krijuar lidhje dhe ku janë përjetuar, momentet më të forta të rinisë.

Ditët e para larg skuadrës, sjellin ndjesi të pazakontë. Ritmi ndryshon, mungon zhurma e tribunave, mungon thirrja e shokëve, mungon ndjesia e përgatitjes për ndeshjen e radhës. Kujtimet fillojnë të marrin vendin e përditshmërisë, ndërsa emocionet e dikurshme, rikthehen në mendje si fragmente të një kohe, që duket njëkohësisht e largët dhe e afërt.

Por jeta nuk ndalet. Përkundrazi, kërkon përgjigje të reja. Me ndryshimet e mëdha që përfshinë vendin në vitet ’90-të, hapet kapitull tjetër, ai i emigrimit, Italisë. Qyteti i Novarës, bëhet pikë e re orientimi, hapësirë ku duhet rindërtuar gjithçka nga fillimi.

Emigrimi nuk është vetëm zhvendosje gjeografike. Është përballje me gjuhë të re, me zakone të ndryshme, me sfida ekonomike dhe me ndjenjën e vazhdueshme të mungesës së vendlindjes. Mes kësaj përvoje, Durrësi mbetet gjithmonë i pranishëm, jo vetëm si kujtim, por si pjesë e identitetit që nuk humbet.

Në këtë rrugëtim, sfidat nuk mungojnë. Vështirësitë shëndetësore, shfaqen si prova të forta, që kërkojnë jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe forcë të madhe shpirtërore. Përballja me to nuk është e lehtë, por karakteri i formuar në sport, përvoja e përballjes me vështirësi në fushë dhe jashtë saj, krijojnë bazë të fortë rezistence.

Mbështetja familjare, merr rol vendimtar. Prania e bashkëshortes Zyhra Duma, kujdesi i fëmijëve, Arla dhe Ledori, si dhe përkujdesja e sistemit shëndetësor italian, krijojnë rrjet sigurie, që ndihmon në kapërcimin e momenteve më të vështira.

Mes Italisë dhe Durrësit, ndërtohet një jetë e ndarë në dy realitete, por e bashkuar nga e njëjta rrënjë. Në njërën anë, përballja me sfidat e përditshmërisë në emigrim, në anën tjetër rikthimi te qyteti që ka dhënë gjithçka, kujtime, miqësi, identitet.

Në këtë fazë të jetës, futbolli nuk është më veprimtari, por mbetet pjesë e pandashme e kujtesës. Nuk ka më ndeshje për t’u luajtur, por ka histori për t’u treguar. Nuk ka më stërvitje, por ka reflektim mbi një rrugëtim që ka lënë gjurmë.

Dhe në këtë kalim nga fusha në jetën e përditshme, mbetet një ndjenjë e qartë, ajo që është ndërtuar me pasion dhe përkushtim. Merr një formë tjetër dhe vazhdon të jetojë brenda njeriut.

Një mbrëmje që bashkoi jetën, 75-së vjetori i lindjes

Në dukje ishte darkë mes miqsh, por në të vërtetë ishte, udhëtim i gjatë në kohë. Në lokalin “ENLES”, në sektorin “Teuta”, buzë detit që e kishte parë të rritej, u mblodhën jo vetëm njerëz, por etapa të tëra jete. 75-së vite nuk janë thjeshtë shifër, por rrugë, përballje, gëzime, sakrifica dhe kujtime që marrin formë në fytyrën e Agim Likmetës.

Në atë mbrëmje, nuk ishin vetëm burra të thinjur nga vitet. Ishin djemtë e dikurshëm, që kishin vrapuar pas një topi në fushat e Durrësit. Ishin ata që kishin ndarë dhoma zhveshjeje, udhëtime të gjata, fitore të festuara me shpirt dhe humbje të përtypura në heshtje. Koha kishte bërë të vetën në pamje, por nuk kishte prekur thelbin.

Agim Likmeta, qëndronte mes tyre si një pikë lidhëse. Në të bashkoheshin të gjitha fazat. Djaloshi i ri që ëndërronte futbollin, mesfushori që organizonte lojën, burri që përballoi jetën me të gjitha vështirësitë dhe sot, në këtë përvjetor, njeriu që sheh pas me qetësi dhe përpara me mirënjohje.

Bisedat nisnin me kujtime të vogla dhe përfundonin në histori të mëdha. Një aksion i bukur, një ndeshje e vështirë, një shaka e bërë në stërvitje, gjithçka rikthehej me gjallëri, që e bënte të duket sikur vitet nuk kishin kaluar. Të qeshurat dilnin natyrshëm, ndërsa në disa çaste, heshtja merrte peshë dhe sytë flisnin më shumë se fjalët.

Prania e miqve dhe dashamirësve, i jepte mbrëmjes dimension më të plotë. Edmond Zalla sillte vështrimin e specialistit. Agim Kashami, mbante gjallë shpirtin e tifozit besnik. Ndërsa Ilir Kaduku, përfaqëson botën e mendimit dhe të reflektimit.

Të gjithë bashkoheshin në një pikë, respektin për jetë të jetuar me përkushtim. Inxhinjeri dhe nga futbollistët pikantë të “Lokomotivës” së viteve 70-të Niko Lito, ishte alegria e tavolinës. I gjallë, i shkathët, energjik si dikur.

Nga kulmet emocionale të mbrëmjes, erdhi me leximin e poezisë nga Asllan Kasa. Fjalët e tij nuk ishin vetëm vargje, por pasqyrim i një kohe, i një brezi dhe i një lidhjeje, që nuk mund të zbehet. Në ato çaste, shumëkush nuk ishte më në sallë, por në fushat e dikurshme, në tribunat plot zë, në vitet kur gjithçka dukej përpara.

Deti pranë, i njëjti që kishte parë fillimet, dukej si dëshmitar i heshtur i këtij rikthimi. Valët vazhdonin ritmin e tyre, sikur të thoshin se koha ecën, por nuk fshin gjurmët e vërteta.

Në fund të mbrëmjes, përqafimet ishin përshëndetje. Ishin premtime të pashprehura, dëshirë për të mos e humbur këtë lidhje, për të mbajtur gjallë atë që i bashkon. Sepse 75 vite jetë nuk maten me kalendar, por me atë që mbetet pas. Dhe ajo që mbeti nga kjo mbrëmje ishte e qartë. Rinia mund të jetë larg në kohë, por jo në shpirt.

Kujtesa që nuk shuhet

Në fund të çdo historie të gjatë nuk mbetet zhurma, as fjalët e shumta, as detajet që koha i zbeh pa mëshirë. Mbetet diçka tjetër, më e fortë dhe më e heshtur, kujtesa. Ajo nuk varet nga vitet, as nga distanca, as nga ndryshimet që sjell jeta. Mbetet si një shtresë e thellë brenda njeriut, ku ruhen fytyrat, zërat, fushat e vjetra, rrugët e qytetit dhe momentet që nuk përsëriten më.

Në rastin e Agim Likmetës, kujtesa nuk lidhet vetëm me një karrierë futbolli, por me mënyrë jetese që u ndërtua mbi përkushtim, qetësi dhe respekt për lojën dhe njerëzit. Çdo etapë e jetës, ka lënë gjurmën e vet. Fëmijëria në Durrës pranë detit, hapat e parë në fushat e lagjes, rritja në ekipet e të rinjve, hyrja në ekipin e “Lokomotivës” dhe më pas përballja me vitet e largimit nga futbolli.

Të gjitha këto, nuk janë kujtime të shkëputura, por vijë e pandërprerë që formon identitetin e plotë të një jete.
Kujtesa e bashkëlojtarëve, e atyre që ndanë të njëjtën fanelë dhe të njëjtin ritëm loje, mbetet po aq e gjallë sa në ditët e ndeshjeve. Në mendje rikthehen emra, episode, momente vendimtare dhe situata, që vetëm ata që i kanë jetuar mund t’i kuptojnë në thellësi.

Nuk është nostalgji e mall, por lidhje e brendshme, që nuk këputet me kalimin e viteve. Është ajo ndjenjë, që e bën një ishfutbollist të ndihet ende pjesë e fushës edhe kur nuk e prek më topin.

Po aq e fortë, mbetet edhe lidhja me qytetin. Durrësi nuk është vetëm vendi i lindjes, por sfondi i gjithë kësaj historie. Deti, lagjet, zhurma e rrugëve dhe dritat e mbrëmjeve, krijojnë peizazh që nuk largohet kurrë nga mendja. Edhe kur jeta e çon larg, në vende të tjera, si në rastin e emigrimit, kujtesa e qytetit mbetet gjithmonë pikë referimi. Ajo kthehet në një lloj busulle të brendshme, që orienton ndjenjat dhe identitetin.

Në këtë kujtesë të madhe, përfshihet edhe rrugëtimi familjar. Prania e bashkëshortes, përkushtimi i fëmijëve dhe vazhdimësia që ata përfaqësojnë, nuk janë vetëm pjesë e jetës private, por pjesë edhe një historie më të gjerë, që vazhdon të shkruhet.

Ledor Likmeta, në mënyrën e tij të punës dhe shërbimit në atë mbrëmje përvjetori, u bë pasqyrim i kësaj vazhdimësie. Në gjestet e kujdesshme dhe në përkushtimin ndaj miqve, u pa një formë e re e së njëjtës kulturë, respekti për njerëzit dhe për jetën.

Jeta e Agim Likmetës nuk matet me statistika, por me ndikimin që lë pas. Në çdo brez, ekzistojnë figura që nuk kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes, por mbeten në mendjen e njerëzve, për mënyrën si kanë jetuar dhe si kanë luajtur.

Durrësi vazhdon të ketë detin, erën dhe fëmijët që ndjekin një top në rrugicat e qytetit. Në atë lojë të pafajshme, fshihet gjithmonë mundësia për të lindur histori të reja. Dhe diku në këtë vazhdimësi, emra si Agim Likmeta, qëndrojnë si ura lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes.

Sepse futbolli nuk është vetëm ndeshje dhe rezultate. Është kujtesë. Është identitet. Është jetë që vazhdon të rrëfehet. Agim Likmeta nuk është emër që qëndron në statistika. Ai është një ndjenjë. Është ai lloj njeriu që nuk kërkon të duket, por që mbetet. Që nuk flet shumë, por që dëgjohet gjatë.

Koha mund të kalojë. Fiziku mund të lodhet. Por ajo që është ndërtuar bashkë, nuk plaket. Disa njerëz nuk jetojnë vetëm jetët e tyre. Ata bëhen pjesë e historisë së qytetit.

Bujar Qesja
Durrës: 15 prill 2026