Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme e ka përkeqësuar situatën për operatorët shqiptarë të transportit ndërkombëtar të mallrave në rrugë tokësore.

Megjithëse ata refuzojnë ta përcaktojnë si krizë situatën aktuale, e pranojnë njëzëri se sektori po kalon vështirësi për shkak të disa problematikave të mbartura, të cilave u është mbivendosur rritja e çmimit të karburanteve.

“Rritja e çmimit të karburantit, por edhe biletave të trageteve ka ndikim të madh në punën tonë si kompani transporti ndërkombëtar, pasi këto 2 zëra përbëjnë 60-70 % të kostove të transportit. Aktualisht ne jemi munduar të mbajmë çmimet që kemi pasur me një rritje të lehtë, por për kompani që kanë 30-40 mjete, që operojnë në transport ndërkombëtar rritja e çmimit të karburantit rrit kostot me rreth 30 mijë euro në muaj”,- thotë Jonadri Prodani, administrator i kompanisë “DyrrahSped”.

Për Artan Ngjecin, administrator i Artan Ngjeci Transport, kostot gjatë kësaj periudhe janë rritur me 15-17% krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, por institucionet shqiptare deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë apo masë për t’u ardhur në ndihmë transportuesve.

“Më parë e merrnim naftën me 1500 lekë, tani e marrim me 2090 lekë. Nafta zë 30% të shpenzimeve tona të transportit, por s’do t’ia dijë njeri”,- thotë Ngjeci për “DurrësLajm”.

Ndërsa Robert Alushi, nga kompania Alushi Trans shpk, thotë se megjithëse shoqata e Transportuesve dhe operatorët kanë kërkuar një takim me Ministrin e Financave, deri më tani ai nuk është mbajtur.  

“Unë naftën e marr në Kroaci me 20 cent më lirë, sepse shteti kroat rimburson edhe akcizën, edhe TVSH-në”,- thotë Robert Alushi, duke nëvizuar se fakti që ne kemi çmimin e naftës më të lartë në rajon, nuk i bën konkurues në treg operatorët shqiptar të transportit ndërkombëtar.

“Nëse nuk kemi rritje me 8-9% të tarifave, së shpejti kompanitë tona do të regjistrojnë humbje të konsiderueshme”,- bën të ditur Jonadri Prodani.

Operatorët pranojnë me keqardhje se marrëveshjet dypalëëshe që Shqipëria ka me disa vende të rajonit për lëvizjen e mallrave favorizojnë kompanitë e transportit ndërkombëtar të vendeve fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut etj, për shkak se kamionët e tyre nuk paguajnë taksën e rrugës tek ne, sepse ata nuk furnizohen me naftë në vendin tonë.

Këto marrëveshje lejojnë që kamionët e këtyre vendeve të hyjnë në Shqipëri pa pasur nevojë për leje tranziti dhe e njëjta gjë vlen edhe për palën shqiptare.

Çmimi i naftës në Shqipëri është rreth 30% më i shtrenjtë sesa në vendet e rajonit për këtë arsye mjetet transportuese të huaja rikthehen në vendin e tyre për t’u furnizuar me naftë. Për këtë shkak, shërbimi që ato ofrojnë për kompanitë eksportuese shqiptare është zakonisht më i lirë, sesa ai i kompanive tona të transportit.

“Për transport në distanca të largëta, kompanitë tona të transportit janë thuajse të përjashtuara për shkak të çmimit të lartë që ofrojmë si pasojë e taksave dhe tarifave të shumta”,- thotë Maliq Saliko, nga kompani Saliko Trans shpk.

Kostot operative të larta e kanë ulur ndjeshëm konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare në raport me ato të rajonit.

Për të njëjtin itinerar vajtje-ardhje drejt Gjermanisë, një kompani shqiptare mund të shpenzojë rreth 3,500 euro për karburant, ndërsa një operator nga rajoni vetëm 2,200 euro. Në një rrugë të vetme, kursimi për operatorët e huaj mund të arrijë deri në 1,000 litra naftë, duke i bërë ata shumë më konkurrues në treg.

“Shkoni në doganën e Tiranës, pjesa më e madhe e kamionëve janë me targa të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shteti jonë nuk na bën konkurues në treg”,- thotë njëri nga operatorët.

Në ndryshim nga vendi fqinjë Itali, ku qeveria rimburson akcizën e naftës për transportin ndërkombëtar, një hap i tillë nuk është ndërmarrë nga autoritetet shqiptare, përgjatë kësaj periudhe.

“Disa vende si Belgjika, Franca, Italia, Spanja dhe Sllovenia lejojnë kompanitë e transportit të kërkojnë mbrapsht një pjesë të akcizës së paguar për karburantin (Diesel Profesional)”,– thotë administratori Prodani.

Nga ana tjetër, rritja e çmimit të naftës nuk është i vetmi shkaktar i rritjes së kostove për këtë sektor, të cilin e penalizon së tepërmi edhe kursi i këmbimit të euros me lekun.

Në një kohë kur pagat, sigurimet, tatimet etj paguhen të gjitha në lekë, rënia e mëtejshme e monedhës evropiane, përkeqëson edhe më shumë situatën financiare të operatorëve shqiptarë të transportit.

Një pjesë e tyre deklarojnë se po operojnë këto kohë me klientët besnikë, me të cilët kanë marrëveshje disa vjeçare, por kjo periudhë nuk i favorizon aspak për thithjen e klientelës së re. Madje sipas tyre, ata rrezikojnë të humbasin edhe një pjesë të klientelës ekzistuese nëse atyre do t’u bëhen oferta më të leverdishme transporti nga ana e kompanive homologe nga vendet e rajonit.

Njëzëri operatorët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit me politika lehtësuese në të kundërt sektori i transportit ndërkombëtar mund të kalojë në krizë, nëse situata aktuale vijon për më shumë se 3 muaj.

“Do të na duhet të mbijetojmë në treg, nëse situata vijon gjatë në këto kushte”,– thotë Artan Ngjeci.

M.B.