Nga: Shpëtim KODRA

Nga të gjitha punët mendore, historia vlerësohet si më e rëndësishmja. Pa histori shkencore, s’ka identitet të përcaktuar e dinjitet kombëtar, ndërsa mosnjohja e historisë pengon të kuptojmë të tashmen dhe të ndërtojmë të ardhmen; për këtë arsye, ndriçimi i saj përbën një detyrë kombëtare, qytetare e patriotike. Parimi themelor i historisë është dokumentimi i të vërtetave në raportin shkak-pasojë. Figura e Ali Pashë Tepelenës është trajtuar në varësi nga konteksti ideologjik, politik e metodologjik i periudhave të ndryshme historike, ndërsa shkrimtarët e mëdhenj si I. Kadare nuk u përshtaten kornizave kufizuese, por, duke u nisur nga faktet reale, mbrojnë parimet humane universale dhe ndjekin kritere artistike, ideore e mesazhore të rëndësishme. Kafka shprehet: “Letërsia e madhe ka si bosht moralin e të vërtetën”, ndërsa te “Pashallëqet e mëdha” Kadare trajton thelbin filozofik të personazheve, bën përgjithësime dhe nxjerr mësime për brezat, pa bërë riprodhim të thjeshtë faktesh historike apo histori të letrarizuar.
Ali Pasha është një nga figurat më të debatueshme në historinë tonë, ku ndërthuren vlera e antivlera që nuk mund të vendosen lehtësisht në një barazpeshë të thjeshtë. Ai ishte një sundimtar i fuqishëm i shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, i cili arriti të krijojë një pashallëk thuajse autonom, nga Preveza në Shkumbin, brenda Perandorisë Osmane. Vlera e tij kryesore lidhet me aftësinë e rrallë politike, ushtarake, strategjike e diplomatike, duke ndërtuar një strukturë të qëndrueshme pushteti, duke konsoliduar administratën dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik e urban; megjithatë, këto arritje nuk mund të shkëputen nga mënyra se si e ushtroi pushtetin. Antivlerat e figurës së tij janë të dukshme, pasi sundimi karakterizohej nga një autoritarizëm i skajshëm, përdorimi i dhunës mizore, intrigave, pabesive dhe krimeve makabre, si dhe eliminimi i kundërshtarëve, ndërsa pangopësia për pushtet e pasuri e çoi në dështim. Ai ndiqte politika shpesh arbitrare, të mbështetura më shumë në frikë sesa në ligj, ndërkohë që dobësimi gradual i Perandorisë Osmane kishte krijuar hapësira për figura si Ali Pashai, me prirje decentralizuese për autonomi.
Armiqësia me pashallarët e tjerë shqiptarë, sidomos me Bushatllinjtë, si dhe me fise shqiptare si suliotët e etur për pavarësi, e rëndoi më tej pozitën e tij; suliotët u detyruan të vihen në shërbim të Revolucionit Grek, madje duke u bërë udhëheqës të rëndësishëm të tij, si Marko Boçari. Edhe mbështetja politike dhe financiare e organizatës së fshehtë “Filiqi Eteria”, e krijuar në Odesë më 1814, pra edhe nën mbikëqyrjen ruse, binte në kundërshtim me idenë dhe dëshirën për krijimin e një shteti arbëror në trojet ilire të kaonëve, molosëve e tesprotëve në Epir. Te “Pashallëqet e mëdha”, Kadare rrëfen: “Sfinksi Ali Tepelena, më i fuqishmi midis gjithë vezirëve të Perandorisë, pas një çerek shekulli mosbindjeje të heshtur ndaj Sovranit, e kishte hedhur më në fund maskën dhe kishte nisur luftën… Kur u shpall rebelimi i Pashait shqiptar, fermani i sulltanit e shpallte tradhtar të fesë dhe e quante ‘Kara Ali’ (Aliu i Zi). Ky ishte rebelimi i dytë i madh, qysh prej 350 vjetësh”, duke përqasur kështu jehonën e dy rebelimeve dhe reagimin osman.
Kadare vijon: “U pëshpërit se do të nisej vetë sulltani, ashtu si në rebelimin e parë madhështor të Skënderbeut, por jo, dhe kjo e mërziti pashain plak. Procesi i zhdukjes së kujtesës kombëtare vazhdoi qindra vjet dhe shumë gjëra u harruan, u mbuluan me mjegull ose u përçudnuan, me përjashtim të tre fakteve: 1. Skënderbeu vdiq i parrëzuar. 2. Kundër Shqipërisë marshoi sulltan Murati II. 3. Pas tij edhe sulltan Mehmet Fatihu.” Në këtë kontekst, e gjithë pjesa perëndimore e Ballkanit u vu në gjendje alarmi dhe, duke përfituar nga kryengritja e Ali Tepelenës, lëvizi Greqia. Raportet që shkonin në Stamboll ripohonin se ai “luani plak” nuk kishte mundur të mbledhë zemërimin e Shqipërisë, pasi ai ishte nisur kundër sulltanit vetëm me mërinë e tij, ndërsa shqiptarët e kishin zemrën akull për të, sepse për vite me radhë ai i kishte shfrytëzuar njëlloj si pashallarët turq, duke u marrë shpirtin me taksa dhe duke i shtypur si çdo vezir tjetër, madje më keq; ndaj, kur i thirri në ndihmë, ata nuk iu përgjigjën. Makiaveli shprehet: “Më e keqja që mund të presë një sundimtar nga populli është braktisja. Vetëm princi që mbështetet në popull, që është kurajoz, i aftë të komandojë dhe arrin fitore, ai nuk braktiset.”
Kur i gjithë lëmshi u mblodh rreth kështjellës, e lanë vetëm me topat dhe ushtrinë e rregullt që kishte, ndërsa braktisjen e hidhur ia bënë të gjithë pashallarët e bejlerët që u hodhën me sulltanin, madje edhe djemtë e nipat. “O veziri që gjëmon” niste një këngë për të, ndërsa Vasiliqia 22-vjeçare ishte gruaja e atij gjëmimi qiellor dhe lindte vetvetiu pyetja: “A kishte qenë ai vërtet aq i madhërishëm?” Asaj i kujtohej tërheqja zvarrë nëpër shkallë e trupit të tij, ndërsa përmes digresionit Kadare sjell kujtimin e saj se ai donte të krijonte shtetin shqiptar, por pyetja lindte sërish: a nuk e kishte krijuar këtë shtet Skënderbeu? Ajo e shqiptonte me zë të ulët emrin e tij, ndërsa Aliu vrenjtej gjithmonë kur e dëgjonte, duke pohuar se Shqipëria ishte bërë dikur, por ishte zhbërë dhe ai donte ta ribënte, duke shtuar: “Vështirë, oh sa vështirë është!”, ndërsa psherëtinte me sytë ngulur te libri i Makiavelit mbi tryezën me dru lisi.
Kadare vijon: “Aliu kishte mundur të bënte çdo gjë: tmerre, pallate, ura, luftëra, diplomaci, por jo vend të pavarur, sepse nuk e kishte ditur këtë mjeshtëri.” Ai kishte më shumë ushtarë se Skënderbeu, më shumë topa, para, pajisje e toka, por fshehtazi e kishte zili krijuesin e shtetit shqiptar, i cili 350 vjet më parë, në moshën 30-vjeçare, kishte bërë atë që tani dukej e pamundur. Skënderbeu, si strateg, kishte ide të mëdha dhe një program të qartë, kur bashkoi princërit në Lezhë, duke u bërë simbol i virtytit dhe unitetit kombëtar, ndërsa rikrijimi i Shqipërisë mbetej ende larg. Vasiliqia kujtonte fjalët e të dënuarit me pranga drejtuar Ali Pashait: “Një pashallëk mund të bësh, por jo shtet; s’të vjen pas Shqipëria. Harroje pashanë, kthehu në prijës dhe Shqipëria do të të dojë”, ndërsa Aliu bëhej limon nga zemërimi dhe zilia, sepse Skënderbeut i kishte vajtur pas Shqipëria për 25 vjet në gjallje dhe 11 vjet pas vdekjes, madje ishte gati t’i shkonte pas edhe fantazmës së tij. Skënderbeu paraqitet si programuesi i parë i projektit për rikthimin e Shqipërisë në Evropë, ndërsa testamentin e tij e zgjoi Rilindja arbëreshe dhe shqiptare në vitet ’30 të shekullit XIX; megjithatë, “një varr i vetëm s’e nxinte dot lavdinë, lavdinë bashkë me mizorinë.”
Aliu i thoshte herë pas here Vasiliqisë: “Kam bërë krime, por më thuaj një sundimtar që nuk ka bërë krime; për një pjesë prej tyre më ka shtyrë Hankua”, ndërsa ajo kuptonte se grekët, që e kishin urryer gjatë gjithë jetës, tani po përfitonin prej tij. Pa rebelimin e Aliut, fillimi i Revolucionit Grek do të ishte shumë i vështirë; më 26 janar 1821, paritë e krahinave të Moresë, përfshi edhe arvanitasit, u mblodhën në Vosticë dhe diskutuan planet e kryengritjes, duke shfrytëzuar mungesën e guvernatorit të vilajetit të Moresë, Hurshid Pashës, që po luftonte me Aliun. A. Dyma (ati) e përshkruan atë si: “I guximshëm në ide, i patundur në vendosmëri, i paepur në veprim e i pamëshirshëm në hakmarrje”, ndërsa Mark Mazouer thekson: “Ali Pasha është një figurë historike që mishëron realizmin politik të Makiavelit dhe ambicionin titanik të Napoleonit.”