Shkolla teknologjike “Hysen Çela” mirëpriti sot qindra nxënës nga klasat e nënta të shkollave 9-vjeçare të Durrësit dhe bashkive përreth gjatë aktivitetit “Dyert e hapura”.
Stafi pedagogjik i shkollës iu përgjigj interesimit të gjimnazistëve të ardhshëm dhe u dha atyre të gjitha shpjegimet e nevojshme për disa nga arsyet më thelbësore se pse arsimin e mesëm duhet ta ndjekin pranë një shkolle profesionale.
Për nxënësit aktual të shkollës teknologjike, ndjekja e saj është një nga zgjedhjet më të mira që kanë bërë për të qenë profesionistë të ardhshëm.
Kombinimi i orëve të teorisë dhe praktikës nëpër biznese, i jep mundësi nxënësve që ndjekin arsimin profesional të integrohen sa më shpejt dhe sa më mirë në tregun e punës.
“Risia gjatë dy viteve të fundit është futja e sistemit Dual. Nxënësit, përveç mësimit në shkollë, zhvillojnë edhe 3 ditë praktike në biznese. Shkolla jonë është mjaft e lidhur me bizneset dhe mund të themi që 90% e nxënësve jan ëtë punësuar me kohë të plotë e të mesme pranë tyre”.,- thotë për“DurrësLajm” drejtoresha e shkollës, Blerina Dervishi.
Kleisi Asllani është një nga nxënësit që dikur ka studiuar pranë kësaj shkolle teknologjike dhe njohuritë e marra aty ai i përdori për të plotësuar formimin profesional me studimet e larta dhe hapjen e një biznesi të suksesshëm. Për të, por edhe për sipërmarrësin Ardian Çitozi, shkolla teknologjike e Durrësit është një mundësi mjaft e mirë për bizneset lokale dhe jo vetëm, që të plotësojnë stafet e tyre me “zanatçinj” të aftë.
Shkolla teknologjike “Hysen Çela” numëron rreth 850 nxënës në 5 drejtimet profesionale që ofron Hoteleri – Turizëm, Detari, Tekstik – Konfeksione, Teknologji Ushqimore dhe Ekonomik.
M.B.





