Prej disa kohësh, disa familje në zonën e Arapajt janë përfshirë në konflikte të vazhdueshme verbale, por edhe fizike me komshinjtë e tyre me mbiemrin Bizgjoni, të cilët janë vendosur në këtë zonë vitet e fundit.
Konfliktet janë të llojeve të ndryshme, por ato që alarmojnë më shumë banorët janë ecja me shpejtësi në rrugicat e lagjes të cilat janë të ngushta, manovra të ndryshme me automjet duke rrezikuar fëmijët por edhe përplasjet fizike, ku e përfshirë ka mbetur edhe motra e të riut problematik, e cila vazhdon studimet e larta në Akademinë e Policisë.
Pas situatave të përsëritura, banorët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve, por nuk deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje dhe i tremben përsëritjes së një situate të ngjashme me atë që ndodhi para disa ditësh në zonën e ish-kënetës dhe u mori jetën 2 fëmijëve të mitur.
Pavarësisht denoncimeve të shumta, situatat janë përshkallëzuar gjithnjë e më shumë mes palëve, ndërkohë e vetmja gjë që kërkojnë banorët e zonës, është që të jetojnë të qetë dhe pa frikë se do të përsëritet ndonjë tragjedi e radhës.
Ndërkohë familja që akuzohet nga fqinjët si konfliktuale, nuk pranoi të prononcohej për mediat për të dhënë versionin e saj për situatat e tensionuara në të cilat është përfshirë.
M.B.





