Konferenca e 9-të ndërkombëtare shkencore“Shteti, shoqëria dhe ligji në udhëkryqin e projektit evropian: Demokracia, sundimi i ligjit dhe integrimi”nisi punimet këtë të hënë në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike në UAMD.

Punimet e saj i nderuan me praninë e tyre edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato si dhe zv/ministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha.

Gjatë fjalës së tyre, ata e vunë theksin tek angazhimi i vendit tonë për mbylljen e kapitujve të hapur me BE-në, ku pikërisht gjyqësori dhe drejtësia janë dy nga elementët kyç në këtë proces.

“Në këtë proces duhet ecur përpara urgjentisht. Duke e konsideruar çështje urgjente, ne mbetemi të përqendruar. Vetëm kur jeni të ndërgjegjshëm se afatet janë afër, ju përqendroni aty të gjithë resurset tuaja të nevojshme për të arritur qëllimin. Dhe kjo duhet të jetë tek të dyja palët, atë shqiptare, por edhe atë evropiane. Nëse duam të arrijmë një transformim të vërtetë të shoqërisë shqiptare, një ndryshim të mentalitetit, kulturës dhe qasjes, ky proces duhet të jetë i thellë dhe t’i përfshijë të gjithë. Të bazohet tek transparenca dhe gjithëpërfshirja e aktorëve”,- tha ndër të tjera ambasadori Gonzato.

“Dëshiroj të kujtoj mesazhin e Robert Schuman, i cili theksonte se Evropa nuk do të ndërtohej menjëherë, apo përmes një plani të përbashkët të vetëm, por përmes arritjeve konkrete që krijojnë solidaritet të vërtetë. Ky vizion mbetet aktual edhe sot dhe reflekton qartë rrugëtimin e Shqipërisë në BE, një proces i gjatë, kompleks dhe transformues, ku drejtësia zë një vend qendror”,– u shpreh zv/ministrja Hoxha..

Konferenca e 9-të ndërkombëtare shkencore mbledh në UAMD rreth 50 autorë të huaj, e cila konsiderohet një risi dhe arritje e rëndësishme për konferencën e këtij viti tha ndër të tjera në fjalën e tij dekani i FSHPJ-së, Linert Lirëza. Ndërsa rektori Shkëlqim Fortuzi, duke u ndalur tek rëndësia e kësaj konference, që mbahet pikërisht në Javën e Evropës, e cilësoi atë një hapësirë dialogu dhe një hap më shumë i hedhur nga UAMD në procesin e ndërkombëtarizimit.

Në konferencën e 9 ndërkombëtare shkencore, kërkues nga vendi dhe nga shumë shtete evropiane dhe më gjerë do të diskutojnë mes tyre dhe do të prezantojnë punimet shkencore në sesionet e saj, disa prej të cilave do të zhvillohen edhe online.

M.B.