Ndryshe nga një ditë më parë, kur pavarësisht insistimit nuk u pritën në bashki, paraditen e kësaj të mërkure, një përfaqësi e banorëve, që preken nga projekti TID u takuan me drejtoreshën ligjore, Alneida Rroshi.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesja e banorëve, arkitektja Entela Koja, deklaroi për mediat, se i kanë kërkuar bashkisë, që t’i informojë brenda afateve konkrete kohore lidhur me procedurat që po ndiqen nga institucioni i qeverisjes vendore dhe Ministria e Kulturës. Sipas saj, parregullsitë e projektit të parë janë të shumta, prandaj banorët kërkojnë që këtë herë ata të jenë pjesë e procesit.
Pavarwsisht se banorët i janë drejtuar bashkisë me kërkesë zyrtare, përgjigja që morën sot nuk ishte e shkruar. Skeptikë ndaj procedurave shtetërore që mund të ndërmerren në kurriz të pronave të tyre, banorët insistuan në përgjigje me shkrim.
Projekti TID Durrës, që pritet të realizohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe AADF planifikon shembjen e banesave dhe bizneseve të rreth 80 familjeve durrsake, që banojnë rreth amfiteatrit dhe në zonën historike.
M.B.





