Teuta ka shkruar për herë të parë në histori emrin e saj si fituese e Kupës së Shqipërisë në futbollin e femrave. Durrsaket fituan dje finalen kundër Apolonisë, takim i zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë. Një ndeshje shumë e luftuar mes të dyja skuadrave, ndërsa gjithçka u vendos nga një autogol në pjesën e dytë të takimit.
Në minutën e 71-të ishte edhe momenti që vendosi fatet e ndeshjes. Braziliania Estevao provoi me një goditje nga rreth 40 metra, me topin që fillimisht u zotërua nga portierja ganeze Amenyeku, por kjo e fundit më pas u rrëzua në brenda porte, duke marrë me vete brenda vijës edhe topin. 0-1 për Teutën, që deri në fund e administroi mirë ndeshjen dhe mori fitoren dhe kupën e shumëdëshiruar.
Pas përfundimit të ndeshjes u organizua ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut të Kupës së Shqipërisë, për t’i lënë vend festës së shfrenuar të vajzave të Teutës, të cilat iu gëzuan një suksesi të merituar. Kujtojmë që në gjysmëfinale Teuta kishte eliminuar Vllazninë, skuadrën që prej më shumë se një dekade është dominuese absolute në futbollin e femrave në Shqipëri.
Meritë në suksesin e Teutës ka pa diskutim edhe trajneri Arian Sheta, i cili e mori ekipin në mesin e sezonit, për të shënuar menjëherë një rezultat historik, siç është fitimi i Kupës së Shqipërisë. Sheta u shfaq shumë i gëzuar me këtë arritje, ndërsa ndër të tjera u shpreh: “Ashtu si për Teutën e femrave edhe për mua është hera e parë ky trofe, të cilin ia dedikoj qytetit, presidencës dhe të gjitha vajzave. Presidenca ka bërë goxha investim, duke qenë nga më të rregulltit dhe mendoj që e meritonin një sukses të tillë. Vajzat u treguan heroina në këtë finale dhe dua t’i përgëzoj për gjithçka ka dhënë”, deklaroi trajneri i skuadrës durrsake.





