Pasion, spektakël dhe emocione:. Ekipi U-17 i Teutës përmbys Tiranën dhe fiton Kupën e Shqipërisë!

Një finale e paharrueshme në “Shtëpinë e Futbollit”, ku bardheblutë ishin dy herë në avantazh të dyfishtë, por Teuta ia doli të reagonte përballë ekipit nga kryeqyteti.

Skuadra e drejtuar nga Markelian Xhai trajner i parë dhe Julian Fezga zv.trajner fitoi me rezultatin 4-3 duke triumfuar në një finale të luftuar deri në fund.

Në këtë ndeshje, të rinjtë e Teutës treguan një shpirt të madh gare dhe konkretizuan në formën më të mirë të mundshme gjithë angazhimin e tyre përgjatë këtij sezoni.

Një urim special për djemtë e detit, në këtë moment special të tyre, vjen dhe nga drejtori i Akademisë së Futbollit “Teuta”, Adrian Dedja:

“Brezi i ri është shpresa dhe e ardhmja e futbollit të qytetit tonë. Mos luani vetëm për fitore, por për ëndrrat që mbani në zemër. Çdo stërvitje, çdo sakrificë dhe çdo rrëzim ju bën më të fortë. Respektoni lojën, trajnerin, shokët dhe mbi të gjitha veten tuaj. Talentin e ka shumëkush, por ata që arrijnë larg janë ata që nuk dorëzohen kurrë. Besoni te vetja dhe luftoni për fanellën me krenari. E ardhmja është në këmbët tuaja”, thotë Dedja.

Në krye të Akademisë Teuta, prej 10 muajsh tashmë, Adrian Dedja, ose më saktë Ani Gym siç njihet prej vitesh në Durrës drejton rreth 30 ekipe moshash, që së bashku numërojnë pak a shumë 700 futbollistë të rinj, Akademia Teuta është aktualisht më e madhja në Shqipëri dhe kjo fitore e arritur me U-17 është vetëm një nga të shumtat që pritet të koleksionojë akademia e futbollit e qytetit bregdetar.