Kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako zhvilloi një takim me përfaqësues të lartë të institucioneve sportive ndërkombëtare dhe kombëtare, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

“Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të rëndësishëm 🤝 me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), Iakovos Filippousis, Presidentin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe njëherësh Presidentin e Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, si dhe zyrtarë të tjerë.

Diskutuam mbi koordinimin dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030🏄🚴‍♀️, një ngjarje sportive me rëndësi të veçantë.
Durrësi, si qytet bashkëorganizator, do të mirëpresë zhvillimin e të gjitha sporteve ujore, duke vënë në dispozicion infrastrukturën dhe potencialin e tij për të garantuar organizimin me sukses të këtij eventi madhor. 🥇

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për promovimin e Durrësit si një destinacion i rëndësishëm për sportin dhe turizmin.
Prishtina dhe Durrësi janë gati të shkruajnë një kapitull historik për sportin mesdhetar.”, shkruan Sako nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.