Në diskutimin që u zhvillua në shkollën “Jan Kukuzeli” për reformën administrativo-territoriale, kreu i partisë Demokratike dega nr.2 Durrës Osman Stafa, ngriti disa nga problematikat e zonave të Durrësit, të cilat sipas tij janë të braktisura dhe jashtë vëmendjes. Theksin ai e vuri tek largimi i popullsisë dhe ulja e lindjeve në këto fshatra.

“Në lidhje me reformën, kur flasim për reformën kemi parasysh diçka. Çfarë nënkupton termi reformë? Do të thotë që diçka nuk ka shkuar mirë, ka çaluar dhe ndërhyjmë për ta riparuar. Reforma territoriale, për hir të së vërtetës, nuk është një histori suksesi e pushteteve vendore, por përkundrazi. Pse? Çdo reformë është në shërbim të qytetarit. Por unë shoh që shërbimi ndaj qytetarit është larguar dhe jo afruar.
Nuk bëj, e përsëris edhe njëherë, nuk bëj politikë. Po flasim për realitete dhe nëse doni, japim edhe fakte dhe argumente. Unë do të them disa gjëra që janë të dhimbshme për shoqërinë shqiptare dhe për varfërinë. Kjo është produkt i reformës territoriale.
Besoj Romanatin e keni dëgjuar të gjithë si fshat. Ka qenë një nga zonat më interesante të bregrrugës nacionale. Një fshat me shumë banorë, goxha i populluar, me një pozicion strategjik. Edhe pse ka rrugën dhe infrastrukturën që ka, në këtë zonë ka dy vjet e gjysmë që s’ka lindje. Dhe kjo është e dhimbshme.
Rrushkullin besoj e keni dëgjuar, sepse është edhe zonë goxha e bukur turistike. Buzë rrugës, pranë detit. Edhe në Rrushkull ka mbi një vit e gjysmë që s’ka lindje.
Edhe unë po i drejtohem juve, zoti Mazniku, dhe klasës politike në tërësi. Banorët këtu, nëse i telefononi në darkë, të gjithë ankohen. Ky është realiteti. Dhe ne duhet të jemi më të kujdesshëm. Reforma territoriale duhet parë si reformë shërbimi, jo si reformë elektorale për t’i shërbyer pushtetit të sotëm.”, theksoi ai.