Kapiteneria e Portit Durrës mori thirrje për ndihmë nga kroçiera Marbella Explorer II në orën 23:50 rreth 20 milje nga Durrësi, për një shtetas anglez të sëmurë në bord, me simptoma të rënda që kërkonin ndërhyrje urgjente.

Kroçiera lundronte nga Korfuzi (Greqi) për në Kotor (Mal i zi) dhe menjëherë u udhëzua nga Kapiteneria e Portit të Durrësit, që të afrohej në radë për të marrë të sëmurin.

Rimorkiatori i ASHD bëri të mundur marrjen e të sëmurit nga kroçera, siç duket në pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon, dhe pasi mbërriti në port ambulanca e shoqëroi turistin anglez drejt Spitalit Rajonal Durrës.

Në orën 02:30 shtetasi anglez me inicialet C.P. mbërriti në spital nën kujdesin e mjekëve dhe tani është jashtë rrezikut për jetën. Në operacionin detar u angazhua rimorkiatori Joni i ASHD me ekuipazhin, FSPD, Policia Kufitare si dhe oficerët dhe Kapiteni i Portit Durrës.