Paraditen e sotme, copa mermeri kanë rënë nga fasada e Gjykatës së Shkallës së parë Durrës.
Siç shihet edhe në pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon, copa të konsiderueshme mermeri kanë rënë në trotuarin përpara hyrjes së gjykatës.
Fatmirësisht ato nuk kanë goditur asnjë qytetar, duke evituar kështu një incident edhe më të rëndë.
Nuk dihet ende saktësisht se nga cili kat i godinës u shkëputën copat e mermerit, që duket se I përkasin një parvazi dritareje.
Sipas informacioneve të para, por të pakonfirmuara zyrtarisht, dyshohet se copat e mermerit kanë rënë nga një dritare e katit të pestë të godinës, aty ku janë ambientet e Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Pak minuta pas shkëputjes së pllakës së mermerit, vendi u rrethua me shirit sigurie për të evituar inicidente të ngjashme në vijim. Organi i akuzës është vënë në dijeni për ngjarjen e cila mendohet se ka qenë aksidentale për shkak të amortizimit të fasadës së godinës 5 katëshe.
M.B.





