Dy ditë para nisjes zyrtare të sezonit turistik, plazhi i Durrësit frekuentohet më së shumti nga admiruesit vendas të banjove të diellit dhe detit, por edhe turistë të huaj që kanë ardhur të kalojnë disa ditë pushime në qytetin buzë Adriatikut.
Kjo është mbase periudha më e përshtatshme për të bërë plazh për ata që preferojnë qetësinë dhe jo popullimin e vijës bregdetare, por kushtet atmosferike të pa qëndrueshme dhe temperatura e ulët e ujit të detit nuk jep mundësitë maksimale për ta shfrytëzuar plazhin në të gjithë potencialin e tij.
“Kam ardhur nga Ukraina. më pëlqen shumë Durrësi, sidomos plazhi, të cilin po e shijoj shumë.“
“Është shumë bukur këtu. Moti është shumë i mirë. Unë vi nga Polonia dhe tek ne është goxha ftohtë aktualisht. Deti ishte pak i ftohtë, por na pëlqeu. Polakët që kanë qenë këtu kanë folur shumë mirë, kështu që erdha dhe vetë ta vizitoja vendin tuaj.”
“Ndodhem këtu prej 3 ditësh, kam ardhur nga Sllovakia. po kaloj shumë mirë, sepse keni natyrë shumë të bukur, por edhe çmimet janë mjaft të leverdisshme”.
“Do të qëndroj 10 ditë këtu. Kohët e fundit kam dëgjuar për vendin tuaj, që është shumë i bukur. Shumë njerëz nuk e njihnin më parë. Mendoj se gjithnjë e më shumë britanikë do të vijnë të kalojnë pushimet në Shqipëri”.
“Do të qëndroj 4 ditë këtu. Jam nga Polonia dhe po kaloj shumë bukur. Po e shijoj shumë plazhin”.

Zgjerimi i brezit të rërës ka përfunduar tashmë dhe bregdeti i Adriatikut nga Agipi deri në Iliria ka nisur të popullohet nga shezlonget. Avancimi i punimeve tek kantieri i projektit Durrës Marina duket se nuk i trazon shumë plazhistët. Ndërkohë sipërfaqja e rërës ka nevojë për pastrim, plugim dhe dezinfektim përpara sesa në plazh të dynden pushuesit. Procesi sapo ka filluar përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe gjithçka pritet të jetë gati për fundjavën.
Në datat 23-24 maj, bashkia Durrës hap sezonin turistik me një program të ngjeshur artistiko-sportiv, që përfshin lojëra basketbolli, volejbolli, kampionat noti, por edhe street party në bulevardin “Epidamn”.
M.B.





