Konferenca ndërkombëtare shkencore “Modelimi i sistemeve komplekse dhe inteligjenca artificiale CSmai 2026” e organizuar nga Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit në UAMD bëri bashkë studiues, akademikë dhe profesionistë të industrisë për të diskutuar përparimet, trendet dhe sfidat më të fundit në fushat e sistemeve komplekse dhe inteligjencës artificiale.

Kjo konferencë organizohet për herë të parë dhe qëllimi primar i saj është  të shërbejë si një platformë globale për shkëmbimin e ideve inovative.

“Konferenca synon ndërtimin e urave të bashkëpunimiit midis kërkuesve, bizneseve, industrisë lidhur me fushat e Inteligjencës Artificiale dhe modelimin e sistemeve komplekse. Është një konferencë që zhvillohet për herë të parë në fakultetin tonë. Kemi pasur 47 aplikime nga vende si Gjermania, Greqia, Malta, Nigeria, Zvicra, Shqipëria etj”,- tha për “DurrësLajm” dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Anjeza Pasku.

“Kjo konferencë sjell në një hapësirë të përbashkët studiues, shkencëtarë, prezantues të tematikave të ndryshme që kanë të bëjnë me IA, shkencat kompjuterike, sigurinë kibernetike, të cilat janë temetika të rëndësishme të momentit”,– deklaroi zv/dekania për Kërkimin Shkencor Rinela Kapçiu.

Punimet e konferencës i përshëndeti edhe rektori i UAMD-së, Shkëlqim Fortuzi, i cili në fjalën e tij e vuri theksin në rëndësinë që ka organizimi i konferencave të tilla, të cilat shërbejnë për shkëmbimin e metodologjive të reja dhe kërkimeve transformuese, që lidhin konceptet teorike me zbatimet në botën reale.

Të pranishëm në punimet e konferencës ishin edhe përfaqësues nga revista shkencore Springer, e cila është e indeksuar në Scopus.

“Është hera e parë që vi në qytetin tuaj të bukur. E kemi planifikuar këtë konferencë shkencore ndërkombëtare vitin e kaluar dhe ndihem mirë që sot po e konkretizojmë këtë punë voluminoze”,– tha akademiku dhe kërkuesi shkencor Siddhartha Bhattacharyya.

Në përfundim të konferencëës, 30 artikuj të përzgjedhur nga 457 aplikantë nga shumë vende të botës do të publikohen në revistën shkoncore Springer.

M.B.