Pianoja është bashkëshoqëruesja e saj prej 7 vitesh tashmë. Pianistja e re nga Durrësi, Esjana Komini, nxënëse e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, sapo ka regjistruar një sukses të rëndësishëm. Nxënësja e klasës së shtatë është vlerësuar me çmimin e parë në kategorinë e rinisë (11–13 vjeç) në konkursin ndërkombëtar online “Bach International Music Competition UK 2026 – Sezoni 1”.
Me përkushtimin dhe pasionin për muzikën dhe instrumentin e saj të dashur pianon, Esjana është përfaqësuar denjësisht në disa konkurse ndërkombëtare, duke fituar çmime dhe medalje të rëndësishme në skenën muzikore të të rinjve.
Për drejtoreshën e shkollës, Adriana Gjepali arritjet e pianistes së vogël dëshmojnë përkushtimin dhe këmbënguljen e adoleshentes, që në të ardhmen mund të jetë një nga talentet e reja të qytetit bregdetar.
Së fundmi, arritjet e saj janë vlerësuar edhe nga organizata botërore WOMCO (World Online Music Competitions Organization), e cila e ka prezantuar si një pianiste të re premtuese nga Shqipëria.
M.B.





