Ndodhet ende i shtruar në repartin e kirurgjisë së spitalit të Durrësit i riu nga Kenia, i cili një ditë më parë u dërgua për ndihmë mjekësore pas lëndimeve që iu shkaktuan nga zjarri i rënë në ambientet e kuzhinës, të një subjekti privat në zonën e Fllakës, në Durrës.

Lajmi konfirmohet për “DurrësLajm” nga burime nga spitali rajonal.

I riu me iniciale Ch.Ch. i cili është kuzhinier, pësoi djegie të shkallës së dytë dhe sipas burimeve spitalore është në gjendje të mirë shëndetësore, nën kujdesin e bluzave të bardha. Ndërkohë, zjarri i rënë dje në ambientet e kuzhinës dhe në një nga dhomat e fjatjes i mori jetën 25-vjeçarit nga Bangladeshi me iniciale O.M. i cili u asfiksua.

Për ngjarjen po ndiqet në gjendje të lirë administratori i subjektit privat, shtetasi me iniciale S.M., që akuzohet për “Shkelje te rregullave në pune”.

Sipas institucionit të Inspektoriatit të Punës, inspektorët e të cilit ishin një ditë më parë në vendngjarje, “në momentin e aksidentit punëtorët kanë qenë në gjumë, pasi ishte ditë pushimi dhe gjatë konfuzionit të shkaktuar njëri nga punëtorët është asfiksuar dhe ka humbur jetën, ndërsa kuzhinieri është djegur lehtë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit.

M.B.