Miliona besimtarë myslimanë në mbarë botën festojnë të mërkurën Kurban Bajramin.
Kurban Bajrami njihet si festë e sakrificës dhe është një prej festave me të rëndësishme në kalendarin islam.
Kjo ditë sipas besimtarëve mysliman buron nga dashuria, bindja dhe durimi i njeriut ndaj Krijuesit të gjithësisë. Nis nga sprova e dy Profetëve, Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit.
Sipas myslimanëve, Zoti i kërkoi Ibrahimit të bënte kurban djalin e tij të vetëm në shenjë bindje ndaj Allahut.
Profetët pranuan urdhërin e Zotit, por në momentin që Ismaili do të flijohej Zoti urdhëroi Ibrahimin që mos e vriste të birin. Ai i dhuroi atij një dash për ta bërë Kurban në vend të djalit.
Sipas besimtarëve mysliman Krijuesi e pranoi sakrificën e Ibrahimit dhe e konsideroi atë mik të tij duke i dhënë një vlerësim të jashtëzakonshëm.
Në përkujtim të kësaj ngjarje besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë duke bërë kurban kafshë të ndryshme e duke e ndarë atë me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
Ndërsa shpjegon për “DurrësLajm” domethënien e kësaj feste, imami i xhamisë së madhe të qytetit, Ervin Qylafku njofton se falja e Kurban Bajramit do të bëhet në ambientet e brendshme të xhamisë, ato të jashtme si dhe në sheshin “Liria” në orën 06.15 të së mërkurës.
Qylafku ka edhe një urim për të gjithë besimtarët: Zoti ua pranoftë sakrificat besimtarëve që bëjnë kurban këtë vit dhe të gjithë ata që s’kanë mundësi uroj që Zoti t’ua pranojë sakrificën duke bërë kurban dhe sakrifikuar veset, në mënyrë që njeriu të arrijë të bëhet më human e njerëzor.





