Ka nisur prishja e një pallati shumëkatësh në Lagjen Nr. 5 të Durrësit, i cili pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti i vitit 2019. Instituti i Ndërtimit e shpalli këtë pallat me shkallë dëmi DS5 dhe godina u përfshi në listën e pallateve që do të shembeshin. Por, që nga ajo periudhë e deri më sot, shembja e pallatit nuk ishte bërë e mundur, pasi forcat xheniere e kishin konsideruar të rrezikshme prishjen me shpërthim të kontrolluar.

Për këtë arsye, shembja e këtij pallati po realizohet me një metodë që deri tani nuk ishte përdorur te godinat e dëmtuara nga tërmeti. Në pamjet me dron të publikuara nga “Durrëslajm” duken qartë dy mjete të rënda, të cilat kanë nisur shembjen nga kati i 10-të i godinës shumëkatëshe dhe më pas do të vijojnë me katet e mëposhtme.

Zona përreth pallatit është rrethuar me gardh për të evituar çdo lloj rreziku të mundshëm gjatë procesit të shembjes.

Burime nga Bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se shembja po realizohet nga një subjekt privat dhe pritet të përfundojë brenda tre muajsh. Më pas, i njëjti subjekt do të realizojë rindërtimin e pallatit, në të cilin banojnë mbi 50 familje.