Disa drejtues mjetesh në Durrës prej kohësh janë kthyer në rrezik për sigurinë dhe jetën e qytetarëve pasi kryejnë manovra të rrezikshme në mes të qytetit.
Te sheshi “Liria”, aty ku kalojnë dhjetëra këmbësorë e nëna me fëmijë të vegjël, rreziku është potencial për t’u përplasur nga një automjet që lëviz me shpejtësi apo bën drifte.
Këtë fundjavë që lamë pas, siç mund të shihet nga fotot që përcjell “DurrësLajm”, janë dëmtuar kufizuesit anësorë që ndajnë trotuarin nga karrexhata, duke rrezikuar seriozisht kalimtarët.
Kushdo që shëtit pasdite apo në mbrëmje në qendër të Durrësit, do ketë konstatuar djem të rinj që bëjnë drifte apo bëjnë parakalime me shpejtësi të lartë për të tërhequr vëmëndjen apo nga trendi për të bërë video për rrjetet sociale. Konkretisht po në këtë pjesë ku janë dëmtuar kufizuesit anësorë, kohë më parë u ndëshkua nga policia e Durrësit me gjobë 40 mijë lekë një shofer pas publikimit të një videoje ku shfaqej duke kryer drifte në rrugë.
Situata është shqetësuese për sigurinë e të gjithë atyre që lëvizin në rrugë, qoftë në këmbë apo me mjet, për shkak të papërgjegjshmërisë së disa individëve që jo në pak raste kanë shkaktuar aksidente me pasoja tragjike.
Pavarësisht monitorimit në disa raste me makina inteligjente për qarkullimin e automjeteve në rrugë të brendshme të Durrësit, apo në dalje e në hyrje të qytetit, vendosjes së gjobave dhe apelit të vazhdueshëm nga policia për zbatimin me rigorizitet të rregullave të qarkullimit rrugor, situata vazhdon të mbetet shqetësuese.
Ndodhur në këto kushte, ku nuk mjafton vetëm monitorimi sporadik me afate të shkurtra kohore me makinat inteligjente, vendosja e kamerave të sigurisë në shumë pika të cilësuara me risk për përfshirje në ngjarje rrugore do të konstatonte dhe do të bënte të mundur identifikimin dhe të atyre shoferëve që mund t’ja hedhin “pa u lagur” shpeshherë!





