Një nga pikat e rendit të ditës të miratuara në mbledhjen e KB Durrës të pak ditëve më parë ishte dhe ajo që lidhej me miratimin e hartës së vendqëndrimeve të mjeteve lundruese dhe korridoreve të lëvizjes së tyre në territorin e bashkisë Durrës.
Në hartë janë pëcaktuar edhe hapësirat për plazh publik, të cilat korrespondojnë me ngjyrën jeshile, siç mund t’i shihni në fotot që “DurrësLajm” po publikon më poshtë.
Siç duket qartë në foto, hapësirat publike në hartën e bregdetit durrsak janë pika të vogla jeshile mes morisë së kuadrateve me ngjyrë të verdhë dhe bojëqielli, që i korrespondojnë plazheve të menaxhuara dhe atyre me kontratë me privatin.












E vetmja hapësirë e madhe publike në hartë është ajo e Kavalishencës në Plepa, por që edhe ajo nuk është e hapur për qytetarët, por vetëm për punonjësit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në datën 9 qershor, kryebashkiakja Emiriana Sako njoftonte në rrjete sociale se “në plazhin e Durrësiit janë vendosur tabelat orientuese, që tregojnë vendndodhjen e plazheve publike, me qëllim që qytetarët dhe vizitorët të informohen për aksesin e lirë për të gjithë në këto hapësira”.


E ndërsa gjysma e muajit të parë të stinës së verës po mbyllet, bashkia ende nuk ka miratuar çmimin tavan për stacionet e plazhit.
Në mbledhjen e së premtes të Këshillit Bashkiak nuk u paraqit asnjë propozim nga bashkia lidhur me këtë pikë, të cilën me vendim të qeverisë ia ka kaluar për kompetencë pushtetit lokal.
Në muajin janar të këtij viti, përmes një vendimi të ri, bashkitë morën kompetencën për të caktuar çmimet maksimale për çdo stacion plazhi përpara nisjes së sezonit.
Ky vendim u ndërmor me qëllim që të kishte më tarifa të vendosura në mënyrë arbitrare nga subjektet private dhe çdo çmim do të ishte i diferencuar sipas zonës dhe standardit.
Por në Durrës, megjithëse është bashkia me vijën më të gjatë bregdetare çmimi tavan për stacionet e plazhit mungon.
M.B.





