Në Konferencën Kombëtare të Inspektimeve për Turizmin Adriatik 2026, operatorët turistikë të Bashkisë Durrës i kërkuan kryeinspektorit Dashnor Sula një qasje më miqësore të të gjitha inspektoriateve ndaj subjekteve që operojnë në fushën e turizmit.

Sipas operatorëve të pranishëm në takim, kontrollet duhet të përqendrohen gjatë sezonit të ulët dhe jo në pikun e rezervimeve, pasi kjo qasje mund të krijojë pasiguri dhe një klimë jo të përshtatshme për turistët e huaj.

Gjatë punimeve të konferencës, ku ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të inspektoriateve që lidhen me mjedisin, sigurinë ushqimore,
shëndetin publik etj, kryeinspektori Sula, teksa renditi numrin e kontrolleve të kryera gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, si dhe ato të një viti më parë, theksoi se nevojiten institucione të forta dhe efektive, të afta për të garantuar standarde, siguri dhe besim.

Në 5 muajt e parë të këtij viti, shifrat që vijnë nga sektori i turizmit janë mjaft premtuese, duke lënë të kuptohet se edhe në periudhën në vijim ky sektor do të regjistrojë flukse turistike edhe më të larta se një vit më parë.

Gjatë fjalës së saj, zv.ministrja e Turizmit, Marinela Prifti, bëri të ditur se vetëm në periudhën janar–maj kanë hyrë në vendin tonë mbi 3.7 milionë turistë, ndêrsa vetëm në muajin maj numri i tyre arrin mbi 1.1 milionë, ose 16% më shumë se në maj 2025.