Këto ditë kur vëmendja kryesore mediatike por edhe ajo popullore është përqendruar tek protesta, që sot regjistron ditën e 18 të saj, larg debatit publik po qëndron projektligji “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Për herë të parë, duke nisur që nga koha e mbretërimit të mbretit Zog, shtetasit e huaj do të kenë mundësi të blejnë tokë bujqësore në vendin tonë. Deri më tani personat juridikë të huaj mund të merrnin me qira deri në 99 vite sipërfaqe toke, ose të blinin vetëm 500 m2 tokë.
Agjenti imobiliar Florian Tahiri e konsideron të rrezikshëm për sigurinë kombëtare projektligjin në fjalë.
“Jam absolutisht kundër këtij projektligji, sepse në këto momente shumë delikate që ndodhet bota dhe gjeopolitika do të ishte e papranueshme që të huajt të vinin në Shqipëri dhe çdo individ të blinte 10.000m2 në çdo bashki. Këtë moment që po flasim ligji lejon që të blesh deri në 500 m2 tokë dhe të bësh një shtëpi. Cënohet në mënyrë serioze siguria jonë kombëtare . Nqa të huajt me ligjin aktual vijnë dhe hapin një shoqëri tregtare, një NIPT, kanë të drejtë të blejnë toka sa të duash. Jam shumë ok që të jepet toka me qira dhe të punohet për bujqësinë për 99 vite. Absolutisht në asnjë lloj mënyre nuk duhen lejuar të huajt që të bëhen pronarë të tokës shqiptare.”,– thotë Tahiri për “DurrësLajm”.
Nëse projektligji në fjalë do të miratohet, ai pritet të gjejë zbatim në zonat rurale, që karakterizohen kryesisht nga komunitete në gjendje të vështirë ekonomike, apo ku emigrimi masiv ka lënë pa shkretë shumë fshatra. Tahiri i trembet faktit, se popullsia në këto zona është më e ekspozuar të shesë pronat e tyre duke lejuar vendosjen aty të individëve nga vendet e rajonit e më gjerë.
“Me të vërtetë 10.000 m2 nga një individ, por po të themi një grup individësh prej më shumë se 100 vetash nga 10 mijë m2 bëhet 1 milion m2. Dihet që në përgjithësi ne jemi popull i varfër. Në Shqipëri, në zona të caktuara mund të gjesh toka në fshat me 4-5 euro apo dhe 2 euro m2. Janë shifra shumë të ulta për të huajt. Është shumë e thjeshtë që dikush nga Rusia, nga Greqia, Serbia apo Izraeli mund të vijë këtu dhe të blejë gjithë fshatin dhe nesër pasnesër mund të dalin ligje ndërkombëtare për autonominë”,— thotë Tahiri.
Nëse projektligji votohet në parlament, rrezikohet “kolonizimi” i ardhshëm i fshatrave shqiptarë dhe gardhet me tela me gjemba, që u bënë shkak i protestave masive në kryeqytet mund të jenë një fenomen i zakonshëm në Shqipëri.
“Siguria kombëtare për 20-30 vitet e ardhshme mund të cënohet, sepse shumë qytetarë të huaj mund të vijnë dhe do fillojnë toka dhe ti nuk do të kesh më akses me hy në zona të caktuara të Shqipërisë dhe pastaj mund të ndodhë dhe gjëma…”
M.B.





