Në rrjete sociale është njoftuar për t’u mbajtur protesta e radhës qytetare në sheshin “Liria” të Durrësit.

Pas rreth një javë ndërprerjeje të tyre, pasditen e sotme, në orën 19.00 është thirrur për t’u mbajtur në sheshin qendror të qytetit protesta qytetare nën moton “Durrësi nuk është për shitje”.

Paralelisht me protestat masive në Tiranë, të nisura që nga data 21 maj, edhe në qytetin bregdetar janë organizuar disa protesta qytetare, gjatë të cilave të pranishmit që kanë marrë fjalën kanë denoncuar shumë problematika të qytetit.

Në protestat e mëparshme, krahas protestës në shesh, qytetarët, kryesisht të rinj, kanë marshuar përgjatë bulevardit “Epidamn”, tek Veliera dhe më pas në shëtitoren “Taulantia” për t’u grupuar të gjithë së bashku tek Sfinksi.

Nuk dihet nëse edhe ditën e sotme protestuesit do të ndjekin po të njëjtin itinerar apo do të ketë një skenar ndryshe.

Ndërkohë, protesta masive në Tiranë sot regjistron ditën e 19-të të saj.