Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës dhe Qendra e Formimit Profesional Durrës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me synim forcimin e programeve të formimit profesional për personat e privuar nga liria.

“Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, IEVP Durrës dhe Qendra e Formimit Profesional Durrës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për zhvillimin e programeve të formimit profesional në mbështetje të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të privuar nga liria.

Me këtë rast, u zhvillua një takim pune mes drejtuesve dhe përfaqësuesve të të dy institucioneve, përkatësisht z. Serjan Mazrreku dhe z. Agim Karaj ,ku u diskutua mbi zgjerimin e mundësive të formimit profesional, krijimin e laboratorëve të rinj për zhvillimin e praktikave profesionale, si dhe përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës në funksion të kurseve ekzistuese dhe atyre që do të ofrohen në të ardhmen.

Palët vlerësuan rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional si elementë thelbësorë në procesin e rehabilitimit, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me qëllim rritjen e mundësive për një riintegrim të suksesshëm të personave të privuar nga liria në shoqëri.”, njofton IEVP Durrës.