Policia e Durrësit ka finalizuar brenda 24 orëve të fundit dy operacione të koduara “Rada” dhe “Bashkëpunëtori”, duke arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në vjedhje me armë dhe me dhunë të ndodhura në qarkun e Durrësit dhe më gjerë.
Në kuadër të operacionit “Rada”, shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan shtetasin Marvin Ferra, 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq të Krujës.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se më 19 qershor 2026, rreth orës 02:30, i maskuar dhe i armatosur me armë automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së një shtetaseje në fshatin Radë. Gjatë operacionit për kapjen e tij, 21-vjeçari tentoi të largohej, por u neutralizua nga efektivët. Në kontrollin e banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Bashkëpunëtori”, Policia identifikoi dhe ndaloi shtetasin Rezi Kruta, 51 vjeç, banues në Tiranë.
Hetimet kanë zbuluar se ai dyshohet të ketë bashkëpunuar me shtetasin T. M., i arrestuar një ditë më parë gjatë operacionit “Taksimetri”, në dy raste vjedhjeje me dhunë ndaj qytetarëve që transportoheshin me taksi në zonën e Shënvlashit dhe Rinasit.
Sipas Policisë, nga analizimi i pamjeve filmike dhe veprimet hetimore është dokumentuar roli i 51-vjeçarit si transportues i autorit kryesor të grabitjeve, të cilat janë kryer në disa qytete, përfshirë Tiranën, Krujën dhe Durrësin. Gjatë kontrollit në banesën dhe garazhin e tij u sekuestruan prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.





