Prej datës 1 korrik ka nisur edicioni i dytë i Durrës Opera Art of Singing, ku janë mbledhur emrat më të mëdhenj të operës në një event kulturor me rëndësi ndërkombëtare, që e promovon qytetin tonë bregdetar si një destinacion të ri të ekselencës artistike dhe shkëmbimit kulturor.

Ideatori dhe organizatori i projektit, mjeshtri durrsak Gëzim Myshketa, së bashku me pianistin e mirënjohur Richard Barker dhe baritonin me karrierë ndërkombëtare Federico Longhi, dolën këtë të shtunë në një konferencë të përbashkët për shtyp në Muzeun Arkeologjik, ku u vu theksi mbi synimin kryesor të projektit ndërkombëtar artistik për ta shndërruar qytetin e Durrësit në një qendër të rëndësishme të specializimit operistik në Ballkan dhe në Europën Juglindore.

Baritoni Gëzim Myshketa, tha se DOA nuk synon të jetë vetëm një masterclass, por të ndërtojë një traditë të re kulturore për Durrësin.

“Edicioni i vitit 2026 zhvillohet nga 1 deri më 5 korrik, duke bashkuar në Durrës pedagogë, artistë, menaxherë artistikë dhe këngëtarë të rinj nga e gjithë bota. Interesi për këtë edicion ka qenë jashtëzakonisht i lartë: mbi 70 kandidatë aplikuan për të marrë pjesë në masterclass, ndërsa pas një procesi seleksionimi artistik u përzgjodhën vetëm 22 këngëtarë, të cilët përfaqësojnë 11 shtete të ndryshme: Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Francën, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Ukrainën dhe Iranin.

Gjatë katër ditëve të masterclass-it, pjesëmarrësit ndjekin leksione intensive të interpretimit vokal, teknikës së këndimit, stilit operistik dhe interpretimit skenik, duke punuar individualisht me disa prej emrave më të njohur të botës operistike“, shpjegon Myshketa.

Të dielën e 5 korrikut, në ambientet e Albanian College në Durrës, do të zhvillohet koncerti final me artistët më të spikatur të masterclass-it, ku do të ndahen edhe çmime të ndryshme artistike nga juria ndërkombëtare dhe partnerët institucionalë.

Juria ndërkombëtare e DOA 2026 përbëhet nga:

Inva Mula – soprano me famë botërore;

Richard Valentin Barker – pianist dhe pedagog, për shumë vite drejtues i pianistëve të
Royal Opera House në Londër dhe pedagog në shkollat më prestigjioze evropiane;

Federico Longhi – bariton me karrierë ndërkombëtare dhe pedagog i shumë artistëve që sot
interpretojnë në skenat më të rëndësishme të botës;

Giovanni Vegeto – Drejtor i Përgjithshëm i AsLiCo;

Federico Tondelli – themelues i PrimaFila Artists, menaxher artistik ndërkombëtar;

Prof. Zhani Ciko – dirigjent dhe një nga figurat më të rëndësishme të jetës muzikore
shqiptare;

Prof. Jusuf Beshiri – pianist, organist, klaviçembalist, themelues i festivalit Vox Baroque dhe
pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë;

Prof. Arben LLOZI – Dekan i Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Tiranës.

“Projekti ka vizionin që, vit pas viti, ta kthejë qytetin në një pikë referimi për formimin e këngëtarëve lirikë dhe të krijojë një Festival Ndërkombëtar Veror të Operës, me pjesëmarrjen e artistëve dhe institucioneve prestigjioze nga e gjithë bota. Ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm në kulturë, edukim dhe promovimin ndërkombëtar të Durrësit, duke e pozicionuar qytetin si një destinacion të ri të ekselencës artistike dhe shkëmbimit kulturor.

DOA – Durrës Opera Art of Singing 2026 është dëshmia se arti, talenti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mund të ndërtojnë ura të reja kulturore dhe t’i japin Durrësit një rol të rëndësishëm në hartën operistike evropiane.“, theksoi gjatë fjalës së tij baritoni durrsak me karrierë ndërkombëtare, Myshketa.