Katër studente të programit Bachelor në “Administrim Biznes” (në gjuhën angleze), pranë Fakultetit të Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), prezantuan me sukses temat e tyre të diplomës në kuadër të programit ndërkombëtar Double Degree, i zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Politeknik të Bragançës (IPB), Portugali.

Gjatë vitit të tretë të studimeve, studentet zhvilluan mobilitetin akademik në Portugali, ku ndoqën studimet pranë IPB, duke përfituar një eksperiencë të plotë ndërkombëtare. Me përfundimin e programit, ato do të diplomohen me dy diploma universitare: një të lëshuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe një nga Instituti Politeknik i Bragançës, duke fituar kështu një kualifikim të njohur në nivel ndërkombëtar.

Studentet që përfunduan me sukses këtë program janë:

  • Keisi Halilaj
  • Nikida Halilaj
  • Xhesika Gjoshi
  • Dorinela Syziu

Programi “Double Degree” është pjesë e strategjisë së ndërkombëtarizimit të UAMD dhe synon t’u ofrojë studentëve mundësi studimi në universitete partnere evropiane, duke rritur cilësinë e formimit akademik dhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar të punës.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës i përgëzon studentet për këtë arritje të rëndësishme dhe u uron suksese të mëtejshme në karrierën e tyre profesionale dhe akademike.